Aplikacion
Policia e Fierit ka arrestuar katër persona, pasi u kapën ‘mat’ duke shitur doza kanabisi dhe kokainë.
Uniformat blu bëjnë me dije se në pranga shtetasit me iniciale M. S., 33 vjeç, E. Z., 39 vjeç, F. Sh., 34 vjeç, dhe M. Ç., 41 vjeç, të katërt banues në Fier.
Në kuadër të operacionit “Tempulli 2” u arrestuan shtetasit Mirel Saliaj, Enri Zadrima, Fadil Shehu dhe Miklodjan Çuko.
“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar antidrogë të koduar “Tempulli 2”, pasi kanë siguruar informacion se 4 shtetas shitnin lëndë narkotike kanabis dhe kokainë, në lagje të ndryshme të qytetit, kanë organizuar punën për kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Si rezultat, në lagjen “Apollonia”, u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit M. S., 33 vjeç, E. Z., 39 vjeç, F. Sh., 34 vjeç, dhe M. Ç., 41 vjeç, të katërt banues në Fier”, tha policia vendore.
Gjatë kontrollit personal dhe më pas në banesat e tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhjetra doza me lëndë narkotike kanabis dhe kokainë gati për shitje. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas e siguronin lëndën narkotike në sasi dhe pasi e ndanin në doza, i shitnin ato në qëndër të qytetit, në afërsi të lumit Gjanica.
Lënda narkotike, 3 peshore elektronike dhe 4 aparate celulare, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Kurse 4 persona të tjerë, po në kuadër të këtij operacioni, janë arrestuar sot në Elbasan, pasi janë kapur duke shpërndarë lëndë narkotike si kokainë dhe heroinë.
Policia bën me dije se tre prej të arrestuarve, janë me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e narkotikëve dhe të vjedhjes.
“Në lagjen “Skenderbej”, shërbimet e Forcës Operacionale konstatuan shtetasit E. P., 30 vjeç, M. B., 33 vjeç dhe E. K., 41 vjeç, të tre banues në Elbasan, të cilëve gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në ambientin ku ata po qëndronin, iu gjetën doza të lëndëve narkotike heroinë dhe kokainë.
Gjithashtu, po për këtë rast u referuan materialet në prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin L. Xh., 33 vjeç, banues në Elbasan, pasi dyshohet i përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Në lagjen “Partizani”, gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në automjetin e shtetasit G. T., 36 vjeç, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” gjetën doza të lëndëve narkotike kokainë dhe heroinë. Në vijim të veprimeve për këto raste u arrestuan në flagrancë shtetasit E. P., 30 vjeç, E. K., 41 vjeç dhe G. T., 36 vjeç, me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e narkotikëve dhe të vjedhjes, dhe M. B., 33 vjeç”, thuhet në njoftim.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, pasi e siguronin lëndën narkotike, e ndanin në doza, të cilat i shitnin në afërsi të shkollave dhe në ambiente të ndryshme të qytetit të Elbasanit.
Dozat e lëndëve narkotike heroinë dhe kokainë dhe 1 automjet që dyshohej se përdorej për këtë veprimtari kriminale u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Numri total i të arrestuarve gjatë aksionit “Tempulli 2” po shkon në 300 dhe goditjet vijojnë çdo ditë. /ZOOM.AL/