zoom

Bota

SHBA-ja dhe vendet e tjera i kërkojnë shtetasve të tyre të largohen nga Ukraina

 

Disa shtete u kanë kërkuar qytetarëve të tyre të largohen nga Ukraina pasi shqetësimet se Rusia do ta pushtojë atë, sa vijnë e shtohen.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë të parat që u bënë thirrje qytetarëve të tyre për t’u larguar, pasi presidenti Biden tha se nuk do të dërgojë trupa për të shpëtuar amerikanët që mund të bllokohen në Ukrainë në rast se Rusia sulmon.

Por Ukraina thotë se deklarata si kjo e Biden e paraqesin situatën më të rëndë nga se është.

Më pas ishte Britania ajo që u bëri thirrje të gjithë shtetasve të saj “që të largohen tani, për aq kohë sa mjetet e transportit janë ende në dispozicion”.

Vendet e tjera që u kërkuan qytetarëve të tyre të largohen nga Ukraina janë Holanda, Japonia dhe Koreja e Jugut.

Rusia mohon se po planifikon të pushtojë Ukrainën, pavarësisht grumbullimit të mbi 100 mijë trupave ushtarake në kufi më të dhe pavarësisht stërvitjeve ushtarake me aleatin e saj, Bjellorusinë.

Perëndimi, nga ana tjetër, ka paralajmëruar se po afron një sulm i mundshëm.

Disa liderë perëndimorë si Macron , Biden dhe Johnson kanë zhvilluar takime me liderët rusë dhe ukrainas me qëllim zgjidhjen e konfliktit në mënyrë diplomatike.

Udhëheqësit e NATO-s mbajtën rishtazi një takim, pas të cilit Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg tha se blloku po qëndron “i bashkuar dhe i përgatitur për çdo skenar”.

Ukraina dhe Rusia janë nën ethet e luftës që prej vitit 2014, kur Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë. Mirëpo këto tensione janë shtuar kohët e fundit.

Burimi:BBC/Zoom.al