zoom

Bota

Biden do të telefonojë Putin – Lufta është pranë, të huajt të largohen nga Ukraina

Rusia mund të pushtojë Ukrainën nga dita në ditë.

Paralajmërimi erdhi i qartë nga SHBA-të, mbrëmjen e 11 shkurtit. Bombardimet, u tha se mund të fillonin brenda javës së ardhshme. Përshkallëzimi, mund të çonte deri në rrëzimin e sistemit në Kiev dhe vendosjen e një regjimi rus.

“Thirrja e fundit”, është pranë, ndërsa presidenti amerikan, Joe Biden dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, do të flasin “kokë më kokë”, por jo përballë – në telefon.

Çdo amerikani, madje edhe perëndimorëve në Ukrainë, u është kërkuar të largohen menjëherë nga vendi, pikërisht për shkak të këtij rreziku të madh, i cili kanoset.

Koha për largim, është prej 48-orësh, sipas të dhënave nga vetë zyrtarët amerikanë.

Vetë Putin, e kishte kërkuar telefonatën të zhvillohej të hënën, por Biden ka këmbëngulur se sa më parë ajo të kryhet, aq më mirë është.

Kjo tregon qartësisht edhe rrezikun që numri një i Shtëpisë së Bardhë nuhat në luftën, e cila tashmë, duket se do t’i kalojë përmasat diplomatike.

Britanikët, australianët, japonezët, letonezët, norvegjezët apo holandezët, kanë kërkuar që shtetasit e tyre, të largohen nga çdo qytet ku ndodhen në Ukrainë. Izraeli zyrtar, e ka të qartë situatën: Stafi i ambasadës, duhet të largohet nga Kievi.

SHBA-të, punën për evakuim e kanë nisur tashmë.

Vetë biseda midis Biden dhe Putin, ka dy rrjedha, në të cilat mund të shkojë. E para, ajo më shpresëdhënësja, është e gjetjes së një rruge të mesme dialogu dhe lehtësimi të frymës së nxehtë që është krijuar.

E dyta, mbetet ajo e një bisede “të dështuar”, e cila veçse mund t’i përkeqësojë gjërat e të çojë në një përshkallëzim të mëtejshëm.

Nëse tonet acarohen, atëherë, paralajmërimi amerikan se brenda javës ka pushtim, mund të bëhet i vërtetë.