zoom

Kinema & Netflix

Serialet britanike “Rivals” dhe “Ludwig” triumfojnë në Emmy Awards

Serialet britanike “Rivals” dhe “Ludwig” triumfojnë në Emmy Awards

Dy seriale britanike kanë dominuar këtë vit ceremoninë e International Emmy Awards, të mbajtur në New York.

Drama “Rivals”, e bazuar në romanin e Dame Jilly Cooper dhe e transmetuar në Disney+, u shpall seriali më i mirë dramatik. Në rol kryesor shfaqen David Tennant, Danny Dyer dhe Emily Atack, ndërsa ngjarjet zhvillohen në krahinën imagjinare Rutshire, ku intriga dhe skandalet e të pasurve vihen në qendër të tregimit.

Komedia kriminale “Ludwig”, me aktorët Anna Maxwell-Martin dhe David Mitchell, u vlerësua si komedia më e mirë. Maxwell-Martin mori edhe çmimin “Aktorja më e mirë” për rolin e saj në serinë e vërtetë kriminale të ITV, “Until I Kill You”, duke shënuar një natë të suksesshme për aktoren britanike.

Emmy Awards vlerëson programet më të mira televizive të prodhuara dhe transmetuara jashtë SHBA-ve. Aktorin më të mirë e fitoi spanjolli Oriol Pla për dramën “Yo, Adicto”, një seri e Disney+ që ndjek rrugëtimin e një burri që kërkon ndihmë profesionale për varësinë.

Suksesi i “Rivals” vjen pak para nisjes së sezonit të dytë, në të cilin do të bashkohen Rupert Everett dhe Hayley Atwell. Ndërkohë, “Ludwig”, një prodhim i BBC-së që po ashtu pritet të ketë vijim, u mirëprit gjerësisht nga publiku në fund të vitit 2024.

Mes fituesve të tjerë britanikë ishte dokumentari i BBC Two “Hell Jumper”, i shpallur dokumentari më i mirë për rrëfimin autentik të një grupi vullnetarësh në Ukrainë.

Channel 4 mori çmimin për çështje aktuale me episodin “Kill Zone: Inside Gaza” të emisionit “Dispatches”, që trajton jetën e palestinezëve të prekur nga sulmet izraelite.

BBC u vlerësua gjithashtu me mini-serialin “Lost Boys and Fairies”, që rrëfen historinë e një çifti homoseksual gjatë procesit të adoptimit, i shpallur fitues në kategorinë film/mini-serial. Apple TV+ shtoi një tjetër trofe për Mbretërinë e Bashkuar me serialin për adoleshentë “Fallen”, fitues në kategorinë për fëmijë live action. Seriali ndjek 17-vjeçaren Lucinda Price në sfidat e jetës në një qendër rehabilitimi.

Nga prodhimet e tjera ndërkombëtare, seriali australian për fëmijë “Bluey” fitoi çmimin për animacion, ndërsa reality-show danez “Shaolin Heroes” u shpall fitues në kategorinë e argëtimit jo të skenarizuar. Zoom.al/

Postime të lidhura