zoom

Ekonomi

Sejko: Rritja e çmimeve, më e fortë nga sa pritej

Guvernatori Gent Sejko thotë se rritja e çmimeve po rezulton më e fortë nga sa pritej duke bërë që inflacioni të shkojë në 3.7% në Dhjetor të 2021. Megjithatë Banka e Shqipërisë i mbetet parashikimit për zbutjen e tij që në mes të këtij viti.

“Inflacioni gjendet në çmimet e gjithë artikujve të shportës së konsumit. Përshpejtimi i tij u diktua nga rritja e ushqimeve të përpunuara dhe çmimeve të naftës. Ky normalizim pritet të fillojë në muajt në vijim dhe të vijojë në mënyrë graduale gjatë horizontit afatmesëm”, tha Sejko.

Objektivi i Bankës së Shqipërisë është që inflacioni të kthehet në 3% në vitin 2023. Sejko nënvizoi se ekonomia po rimëkëmbet pozitivisht pas goditjeve nga tërmeti dhe pandemia.

“Projeksionet tona për të ardhmen mbeten pozitive. Ekonomia shqiptare parashikohet të ndjekë një trajektore rritëse gjatë viteve në vijim. Analizat tona tregojnë se aktiviteti ekonomik në vend ka kaluar nivelin e tij të para tërmetit dhe para pandemisë”.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 0.5% duke shtyrë edhe për pak kohë stimulin monetar për ekonominë./Tv Klan