zoom

Slider

Scaloni vijon ta mbajë në “ajër” Argjentinën, mediat aludojnë se kërkon kontratë më të mirë

Lionel Scaloni vijon të tremb Argjentinën. Trajneri i kampionëve të botës nuk është i qartë në lidhje me të ardhmen.

Deklaratat e tij po bezdisin jo pak ambientin, aq sa pak ditë më parë pati dhe një përplasje verbale me Messin, pikërisht për këtë temë, pse vendos t’i thotë gjërat në media, e jo fillimisht në dhomat e zhveshjes:

“Pas ndeshjes me Brazilin u shpreha se më duhet të reflektoj, jam akoma në këtë fazë. Kjo është shumë e rëndësishme pas asaj që realizuam. Duhet të mendojmë për gjithçka na pret në të ardhmen. Përplasja me Messi-n? Kam folur me të pas episodit që ndodhi në “Marakana”, ai pranoi që të flisnim sërish. Ai është kapiteni dhe me të kam një raport optimal”, u shpreh Lionel Scaloni.

mediat raportojnë se Messi më pas i ka thënë teknikut me të cilin ka një lidhje të hershme miqësie, se bëri gabim që nuk i ndau me ta shqetësimet.

Disa analistë besojnë se kjo taktikë e Scaloni lidhet me rinovimin e kontratës së tij dhe ndoshta kushte më të mira financiare, pas Botërorit të fituar dhe rekordeve të pafundme që regjistron prej 3 vitesh në pankinë, duke thyer çdo teknik tjetër kombëtaresh. /A.Q./