zoom

Stil

Samanta tregon të vërtetën e tërheqjes nga Festivali i RTSH-së: Nuk më lejuan të performoja

Samanta Karavella u tërhoq nga “Festivali i Këngës” sepse organizatorët nuk e lejuan të performonte pa koreografi. Në një intervistë për “Më lër të flas”, këngëtarja zbuloi për herë të parë arsyen e vërtetë pse u tërhoq nga gara.

“E vërteta është që kënga që unë kisha zgjedhur [ishte] një këngë shumë ritmike [dhe] nuk m’u lejua performanca. Një këngë ritmike unë nuk mund ta këndoja pa performancë. Këto ishin rregullat këtë vit,” u shpreh ajo.

Pak ditë më parë, menaxheri i saj u shpreh se festivali “po u merrte shumë kohë”, por e vërteta qenka ndryshe.

Fill pas Samantës, edhe Kejsi Tola u tërhoq nga gara. Vendimi i këngëtareve solli një teori që qarkulloi në rrjet dhe lidhej me mendimin se Elsa Lila është shpallur paraprakisht si fituese.

“Sa për Elsa Lilën, janë spekulime unë nuk di asgjë,” tha Samanta në “Më lër të flas”.

Përpos tyre, edhe Sardi Strugaj u tërhoq nga gara e “Festivalit të Këngës”.

Festivali i Këngës do të mbahet nga datat 19-22 dhjetor 2023. Votimi do të jetë i njëjtë me vitin e kaluar: Publiku do të vendosë përmes televotimit se kush do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2024 dhe juria do të përzgjedhë fituesin e festivalit dhe çmimet tjera.