Aplikacion
Kush udhëton në autostradën Levan – Vlorë përballet me disa tabela që kërkojnë një ulje të menjëhershme dhe drastike të shpejtësisë, nga 110 – në 50 kilometër në orë.
Janë tabela të vendosura në pjesët hyrëse të urave. Janë aty prej të paktën 5 vitesh.
Autoriteti Rrugor Shqiptar i ka vënë për të sinjalizuar një rrezik që paraqesin hyrjet dhe daljet në ura: bazamenti i asfaltit të rrugës është në disnivel me urat. Nyjet lidhëse në ura kanë krijuar barriera të forta. Për pasojë, ato cënojnë sigurinë rrugore dhe rrezikojnë jetën e përdoruesve të makinave.
Kur fenomeni u krijua për herë të parë në 2017-ën, kompania që kishte fituar një tender të majmë për mirëmbajtjen e rrugës u angazhua për ta rregulluar atë. 14 milionë euro ishte tenderi që kishte marrë bashkimi i kompanive “Elikatechnical Commerce” dhe “Salillari” për mirëmbajtjen e akseve kryesore të jugut, pjesë e të cilave është edhe ky segment i rëndësishëm.
Kontrata parashikonte edhe rregullimin e barrierave dhe kompania u angazhua publikisht asokohe për t’i dhënë zgjidhje. Por ajo çfarë bëri ishte vendosja e disa tabelave që e ulte shpejtësinë nga 110 km/h në 20 km/h në atë kohë.
“Elikatechnical Commerce” dhe “Salillari” nuk e zgjidhën dot problemin. Megjithatë, njëra prej këtyre kompanive, “Salillari”, ka fituar edhe tenderin e radhës për mirëmbajtjen e të njëjtit aks dhe të disa rrugëve të tjera, pjesë e rrjetit të rajonit Jugor.
Autoriteti Rrugor Shqiptar, një institucion në vartësi të Ministrisë së Infrastrukturës së Belinda Ballukut, i ka dhënë një tender prej 1.4 miliardë lekësh pa TVSH, ose 11.4 milionë euroësh, sipas kursit të këmbimit 123.72 lekë për euro.
Përveç se i është dhënë një kompanie që dështoi të zgjidhë një problem me të cilin përballen qindra mijëra frekuentues të autostradës së Vlorës, fituesi është shpallur pa garë.
Për shkak të mungesës së konkurrencës, OpenProcurementAlbania, një projekt i mbështetur nga Qeveria e Suedisë për transparencën e prokurimeve publike, e ka sinjalizuar si tender jashtë standardeve, duke i vënë “flamur të kuq”.
Edhe pse nuk ka pasur asnjë konkurrent, procedura që mban firmën e drejtorit të ARRSH, Ervis Berberi, ka vijuar normalisht. Tenderi është hapur më 11 mars 2022 dhe është zhvilluar më 11 prill 2022, pa asnjë konkurrent tjetër në garë, përveç “Salillarit”, një kompani, pronari i së cilës është përfolur për lidhje me kryeministrin Edi Rama.
Por çfarë do të bëjë kompania me këtë shumë të madhe parash? Cilat janë rrugët që duhet të mirëmbajë dhe ku do të përdoret fondi prej 11 milionë eurosh? A do t’i japë ajo fund kësaj here, gjatë zbatimit për 48 muaj të kontratës, problemit të diznivelit të urave përgjatë autostradës Levan – Vlorë? Apo nën justifikimin se ka nevojë sërish për ndërhyrje, do të konkurrojë për të marrë edhe tenderin e radhës pas 4 vjetësh, për të njëjtën problematikë?
Në relacionin teknik të tenderit përcaktohet se akset që do të mirëmbahen nga “Salillari” janë: Tepelenë – Gjirokastër – Kakavi; Levan – Tepelenë; Vlorë – Sarandë; Gjirokastër – Sarandë; By Pass – Levan – Vlorë (autostrada); Ura e Kranesë – Konispol (Dogana Qafë Botë); Kardhiq – Delvinë, Lot 4+5+6
Për të kuptuar se ku do të shkojnë paratë, le të shohim shkurtimisht problemet që ka çdonjëri nga këto akse, sipas vetë relacionit që shoqëron tenderin 11 milionë euro, për 414.2 kilometër gjatësi që kanë akset e tenderuara.
Shërbimet që do të kryhen janë, asfaltimet, nivelimi i bankinave, riparimi dhe rifreskimi i sinjalistikës, kontrolli i vegjetacionit, skarpatat, mirëmbajtja e veprave të artit, riparimi i barrierave mbrojtëse metalike apo të betonit, menaxhimi i trafikut gjatë kryerjes së punimeve, pastrimi i dëborës (nëse ka).
Çfarë thuhet në relacion:
2. Levan – Tepelenë – 71.2 km – Gjendja e rrugës, nga pikëpamja teknike është e mirë, përfshirë gjendjen e shtresave rrugore, si strukturë. Drenazhet: kërkon punime rehabilitimi.
3. Bypass i Vlorës – 29 km – Gjendja e rrugës nga pikepamja teknike është e mire, përfshire gjendjen e shtresave rrugore. (Rruge e re, brenda periudhës së garancisë, për pjesën e punimeve ndërtimore)
4. Vlorë – Sarandë – 121.8 km – Sinjalistika rrugore dhe shenjat horizontale janë në gjendje të dobët. Shenjat vertikale janë përgjithësisht në kushte të mjaftueshme. Të gjitha urat dhe strukturat janë përgjithësisht në kushte të mjaftueshme. Sistemi i drenazheve kërkon punime rehabilitimi.
5. Levan – Vlorë 24.6 km – Shtresa e rrugës në përgjithësi ka nevojë për punë rehabilitimi dhe mirëmbajtje periodike. Sinjalistika e rrugës dhe shenjat horizontale/vertikale janë përgjithësisht në kushte të mjaftueshme. Pjesët konstruktive të strukturave janë në gjendje të mirë. Pjesa hyrëse dhe dalëse e urave kërkon sistemim të vazhdueshëm të asfaltit (argjinaturës). Sistemi i drenazhimit përgjithësisht në kushte të mira. Mund të kërkojë punime të vogla rehabilitimi.
6. By Pass i Fierit 22.3 km – Gjendja e këtij aksi të sapo përfunduar është shumë e mirë.
7. Ura e Kranesë – Konispol 33 km – Shtresa e rrugës në disa vende kërkon punime rehabilitimi. Sinjalistika horizontale/vertikale nuk janë në kushte të mjaftueshme. Të gjitha urat dhe strukturat janë në përgjithësi në kushte të mira. Siguria, në përgjithësi, në gjendje të kënaqshme.
8. Kardhiq – Delvinë – Punime që sugjerohen të kryhen janë kryesisht: Përmirësim të shtresave rrugore aty ku ato janë të dëmtuara; ndërtim i mureve mbajtës e pritës ku evidentohen problematika; instalimi guardreleve/ mbrojtëseve anësore metalike në vendet me rrezikshmëri, instalimi i tabelave/ sinjalistikës vertikale të reja ose zëvëndësimi i atyre të dëmtuara, realizimi i sinjalistikes horizontale/vijezimet , instalimi i sy maceve, plotësimi me kapakë i pusetave aty ku mungojnë.
Relacioni ka pasur pothuajse të njëjtat kërkesa me relacionin e tenderit të mëparshëm që fitoi “Salillari” 14 milionë eurosh për mirëmbajtjen e të njëjtit rrjet rrugor. Por situata në rrugë ka ndryshuar pak ose aspak. Problemet janë të pazgjidhura, si në rastin e autostradës së Levan – Vlorë, apo sinjalistikës që lë për të dëshiruar thuajse në të gjitha akset e tjera.
Nisur nga punët e mëparshme, shpresat që gjendja të ndryshojë janë të pakta. Ajo që pritet është që, të paktën, tabelat që do të sinjalizojnë rreziqet nuk do të mungojnë, ndërsa shmangia e rreziqeve në mënyrë përfundimtare do të vazhdojë të mbetet ëndërr, edhe pse paratë shpenzohen lumë dhe nuk kontrollohet se ku shkojnë. Ajo që dihet me siguri është se faturat do të jenë ekzaktësisht 11 milionë euro, aq sa iu dhanë Pëllumb Salillarit në tenderin pa garë, që duhej anuluar./Zoom.al
Ky është artikull ekskluziv i Zoom.al dhe gëzon të drejtën e autorësisë në bazë të Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Ai mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Zoom.al”,shoqëruar me linkun e artikullit origjinal. Për mosrespektimin e këtij detyrimi, çdo shkelës do të ngarkohet me përgjegjësi sipas Ligjit Nr/ 35/2016.