Aplikacion
“Kam marrë për përtej oqëanit, që ta dish ti, absolutisht më shumë se kushdo tjetër dhe çdo dy muaj. I kam bërë të qartë që në fillim në krye të radhës se unë i kam ndërprerë të gjitha llojet e udhëtimeve zyrtare. Nuk kam pse të bëj unë udhëtim zyrtar. Sepse… nuk kam. Nuk jam person që përfaqësoj më një forcë politike, përfaqësoj veten time. Ndaj Edi, që ta dish ti, në mënyrë absolute çdo dy muaj kam marrë ftesa. Por, por, e kam të vendosur që nuk udhëtoj për qëllime zyrtare askërkund. Kur të më teket, Edi Rama, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dije mirë ti, kam arritur aty ku ti s’mund të arrish kurrë. Kanë qenë republikanë, kanë qenë demokratë, i kam respektuar. Nuk u kam thënë “turp i qytetërimit”, siç i ke thënë ti Donal Trampit dhe pastaj jep 20 milionë dollarë për ta takuar. Nuk kam bërë kurrë gjëra të tillë”.
Prej sot, as e fton më njeri, as mundet të shkojë. Prej sot, as e takojnë më ambasadorët amerikanë të radhës ( i fundit ishte Donald Lu ) as e telefonojnë zyrtarë amerikanë për t’i marrë konsiderata dhe mendime për çështje të rëndësishme kombëtare e rajonale. Prej sot atij nuk do t’i shkelin në zyrë zyrtarë dhe ish –zyrtarë të rëndësishëm të Europës dhe rajonit.
Edhe faktori shqiptar në Kosovë, Maqedoninë e Veriut e Mal të Zi do t’i qëndrojë larg. Prej sot, çdo deklaratë e tij për zhvillimet kombëtare dhe rajonale do të jenë të paragjykuara dhe s’do ta kenë më peshën e rëndë që kishte çdo fjalë e tij, veçanërisht për çështjet kombëtare.
Ai nuk do ta diktojë më politikën e partisë që themeloi, të paktën publikisht.
Prej sot, Sali Berisha është e shkuara. Kjo është ajo çfarë do të ndryshojë në jetën e ardhshme të njeriut më të pushtetshëm të Shqipërisë postkomuniste, atij që ndikoi jo pak politikën edhe pasi e la pushtetin në vitin 2013, njeriut që bëri opozitë i vetëm më shumë se opozita e bashkuar.
Por a e zhbën kjo damkë amerikane, e cila ka nevojë thelbësore për transparencë, atë se çfarë ishte Sali Berisha deri sot?
Ai mbetet themeluesi dhe lideri i një force politike që u vu përballë regjimit komunist dhe në krye të betejave për lirinë dhe pluralizimin.
Ai mbetet njeriu që goditi pa kompromis bandat më të rrezikshme që komandonin në mbarë vendin prej vitit famëkeq 1997 deri në 2005 kur ai erdhi në pushtet sërish. Ai mbetet zyrtari që sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, që sot e shpalli “non grata”, në kohën kur ishte këshilltar për sigurinë kombëtare i presidentit Obama, e përgëzonte për sukseset në luftën kundër korrupsionit.
Ai mbetet kryeministri në detyrë në kohën kur Shqipëria shënoi arritjet e saj më madhore në marrëdhëniet trans-atlantike, me antarësimin ne NATO apo me liberalizimin e vizave.
Por ai do të mbetet gjithashtu kryeministri në detyrë në protestat e 21 janarit që përfundoi 4 viktima dhe në kohën e shfaqjes së zëvendësit të tij, Ilir Metës, me bllok në dorë, në atë që u konsiderua si një aferë që zbuloi me zë e figurë korrupsionin në nivelet e larta qeveritare.
Shkurt, Sali Berisha do të jetë ai që çdokush ka parë në këto 30 vite të pseudo-demokracisë shqiptare; një kafshë politike, vetëm se tani i duhet të merret në vetmi me plagën e madhe që i hapën amerikanët. /Zoom.al
Ukraina rrit importet e armëve! SHBA mbetet eksportuesi kryesor, Rusia bie në renditje