zoom

In Zoom

Sa është e mundur një bashkëqeverisje Rama – Basha pas 25 prillit?

Më 10 korrik të vitit 2020 Lulzim Basha zbuloi një ofertë që kishte marrë nga kryeministri Edi Rama.

“Për një muaj Edi Rama ka dërguar ndërmjetësit e tij duke thënë ti Kryeministër, unë President, vetëm të heqim koalicionet. Heqim koalicionet dhe ti Kryeministër dhe unë President”, ishte deklarata e Lulzim Bashës.

Edi Rama reagoi. Nuk e mohoi prerë, por tërthorazi i tha që ishte e pamundur.

Listat e hapura do fuskan kriminelët në parlament sipas LB e unë dashkam të bëhem President me LB kryeministër,se paskam frikë nga humbja?Në fakt jo, unë e di popullin më të mençur se veten prandaj dua të hapen listat,e s’e bëj dot Lulin KM se s’jam Populli që e vendos këtë!” shkroi Rama në Tëitter.

9 muaj më vonë është kryeministri Rama që flet për një plan të ngjashëm. Pa ndarë postet e secilit, ai e fton Bashën të bashkëqeverisin pas 25 prillit, me kusht që të ndahet nga Berisha e Meta.

“Pas 25 prillit jam i gatshëm të bashkëpunoj me opozitën, dhe me Bashën, por me një kusht të thjesht që të ndahet nga Meta dhe Berisha. Për të transformuar një jetë politike që është realisht që është kthyer në stres për shqiptarët”, tha Rama për Report Tv.

Njësoj si në korrikun e vitit të kaluar, Lulzim Basha ishte kategorik në refuzimin e një bashkëpunimi me njeriun që ai e konsideron sa besëprerë aq edhe të korruptuar.

“Në 25 prill shqiptarët do votojnë numrin 9 për ta larguar Ramën dhe ai nuk do jetë kurrë pjesë e qeverisjes sonë. Koha e tij ka mbaruar. Ne do të sjellim ndryshimin dhe Shqipëria do fitojë”, ia ktheu ia në Twitter Ramës.

Rama insiston dhe kërkon ta tregojë Bashën si njeri që nuk është i lirë të vendosë, pasi vendimet ia diktojnë Berisha e Meta.

“Po pse vallë janë më të rëndësishëm për ty Saliu dhe Iliri se sa Shqipëria Lulëzim?! Shqiptarët duan bashkim, duan që ne të gjithë të punojmë për ta dhe ekonominë e tyre përtej pandemisë, duke e lënë pas politikën e vjetër të sherrit, dasisë, konfliktit deri në absurd! Pse ti jo?” iu përgjigj në Twitter.

Çfarë përmban oferta sipas njerëzve pranë Ramës?

“Plani i tij është serioz: bashkim i partive kryesore në emër të integrimit për të shuar sherrnajën disa-vjeçare mes PS e PD”.

Kjo është në fakt edhe ajo ç’ka përmban tëeet-i i Ramës.

Si e komentojnë njerëzit pranë Bashës?

“Diversion përpara zgjedhjeve. Frikë se do të humbasë pushtetin dhe nevojë për garanci në rast të humbjes. Nëse Basha e pranon ftesën, PD do të shkatërrohet”.

Po sipas zërave më racionalë?

“Basha s’mund të pranojë bashkëqeverisjen me Ramën. Në rast se e pranon, do të amnistonte të gjitha aferat korruptive për të cilat ka akuzuar Ramën. Rama kërkon të hyjë në histori se bëri diçka që askush më parë s’e kishte realizuar dhe po ashtu synon një tranzicion të butë gjatë largimit nga pushteti, duke u zhvendosur në Presidencë”.

Me ftesën për bashkëpunim në rast se PD i humbet zgjedhjet, Lulzim Basha është realisht përballë një zgjedhje të vështirë. Me dy humbje radhazi në zgjedhje, ai do ta ketë të vështirë në mos të pamundur për të qëndruar në krye të PD. Hyrja në bashkëqeverisje me Ramën, me kusht që Rama të mos jetë kryeministër e që Basha të bëhet kryeministër pasi Rama të zgjidhjet president, në vitin e dytë të mandatit, mund t’i qetësojë ata demokratë që u është sosur durimi dhe rezervat në opozitë. Mirëpo, kritikët do të shtojnë radhët, sepse Basha do të humbasë edhe atë pak besim që është përpjekur me shumë mund ta krijojë pas marrëveshjes së 18 majit 2017. Basha mund ta shfrytëzojë ofertën për vete, por për PD-në bashkëqeverisja me Ramën do të shënonte fundin e saj. Një gjë është e sigurt: pak ditë para zgjedhjeve, me ftesën publike, Rama synon të shtojë dyshimet mbi Bashën, për ta dëmtuar atë politikisht. ©Zoom.al