zoom

Aktualitet

Rusia e kërkonte prej 12 vitesh për narkotrafik, kapet në Qafë-Botë armeni që jetonte në Greqi

Një 61-vjeçar armen është vënë në pranga në pikën kufitarë të Qafë-Botës, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar prej 12 vitesh.

Policia bën me dije se 61-vjeçari me iniciale K. Sh., i cili tentoi të hynte në territorin e vendit tonë, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar prej 12 vjetësh nga autoritetet ruse, për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.

Mësohet se gjykata e Solnechnogorsk, Moskë, Rusi, me vendimin e datës 25.05.2012, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “arrest në burg”, për kryerjen e veprës penale “prodhim dhe shitja e lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Rusisë.

Blutë raportojnë se po vijojnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Rusi.

“Si rezultat i kontrolleve dhe intervistimeve të detajuara në hyrje/dalje dhe i shkëmbimit të informacioneve me Interpol Tiranën, shërbimet e Policisë Kufitare Qafë Botë, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, kanë kapur dhe vënë në pranga, në hyrje të vendit, shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar:

-K. Sh., 61 vjeç, me shtetësi armene dhe me vendbanim në Greqi”, tha policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme. /ZOOM.AL/