zoom

Ekonomi

Rruga Thumanë-Kashar me pagesë/KKT miraton lejen, 1.56 mld € arkëtime nga kompanitë

Këshilli Kombëtar i Territorit, ka miratuar lejen për dhënien me koncesion të rrugës Thumanë-Kashar. Siç ishte parashikuar, ky koncension do të zgjasë për 35 vite ndërsa kompanitë fituese pritet të arkëtojnë 1.56 miliardë euro duke vendosur një tarifë për mjetet që kalojnë në këtë segment rrugor.

Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar lejen për dhënine me koncesion të rrugës Thumanë-Kashar me një gjatësi prej 21 kilometrash.

Ky aks u është dhënë me koncesion për 35 vite kompanive Gener 2 dhe G2 Infra e cila do ta ndërtojnë me shpenzimet e veta. Përgjatë kësaj periudhe plani bazë i të ardhurave të kompanive llogaritet në 1.56 miliardë euro me TVSH.

Në kontratë thuhet se kompania do të vendosë një tarifë për kalimin e mjeteve në këtë segment rrugor për të gjeneruar të ardhura. Në vitet e para qeveria ka vendosur edhe një fond si garanci nëse kompania nuk siguron fitimin e planifikuar.

Kështu në vitin e parë plani bazë i të ardhurave është 26.8 milionë euro ndërkohë që shteti do të garantojë 8 milionë euro.

Vit pas viti plani i të ardhurave ndryshon duke kulmuar në vitin 2055 në 63.1 milionë euro dhe mbështetja e shtetit ndalet në vitin 2031 kur garancia e parashikuar është 360 mijë euro.

Katër vite më parë qeveria u tërhoq nga projekti i prezantuar në vitin 2018 duke deklaruar se financimi i planifikuar do t’i dedikohej angazhimit tjetër të qeverisë për “Paktin me Universitetin”.

Kompania bëri padi në gjykatën administrative dhe e humbi çështjen në shkallën e parë. Më pas çështja shkoi në Gjykatën e Apelit dhe në tetor të vitit 2021 gjykata e mbylli procesin pasi qeveria u tërhoq duke i dhënë sërish kompanisë Gener 2 të drejtën e koncesionit./Oraneës