Aplikacion
Autor: Emirjon Senja /INA.MEDIA
Albani e ndjeu veten dy herë me fat atë paradite të diele shkurti, teksa po udhëtonte nga Tirana në drejtim të Vushtrrisë në Kosovë përmes Rrugës së Kombit. Vetëm pak kilometra para se të futej në tunelin e Thirrës, ai nuk mundi të shmangte një masiv gurësh, që kishin rënë kohë më parë nga shpati i malit, duke pushtuar tërësisht aksin e rrugës në drejtimin Milot-Morinë.
Njëri prej tyre i çau gomën e djathtë, të përparme dhe i deformoi diskun, duke bërë që makina të rrezikonte humbjen e kontrollit. Një manovër e shpejtë e shoferit bëri që të shmangej aksidenti.
Albani, i riu nga Vushtrria e Kosovës, pasi ka ndërruar gomën e dëmtuar nga gurët në rrugë në aksin Rrëshen-Kalimash
Të riun nga Kosova, i cili e viziton shpesh Shqipërinë për arsye pune, e kishte “tradhtuar” edhe goma rezervë. Investigative Network Albania e takoi në anë të rrugës, teksa përpiqej të gjente një zgjidhje, derisa të shkonte në gomisterinë më të afërt.
Pasi i dhamë gomën tonë, rezervë deri në Kukës, ai rrëfeu edhe rrethanat se si ishte gjendur në atë situatë.
Goma e dëmtuar e makinës tip “Volkswagen Passat” nga gurët në aksin Rrëshen-Kalimash
Foto: INA MEDIA
“Siç e shihni, pak metra më tej rruga është e mbushur me gurë, që kanë rënë nga sipër. Nuk i shmanga dot. Di të them se kjo nuk do të më kishte ndodhur kurrë në pjesën e rrugës nga ana e Kosovës, madje andej edhe nuk kemi tra”, – rrëfen i shqetësuar i riu.
“Nuk e di, nëse ia vlen me ua dhënë tani atyre atje (te trau) këtë”, – thotë ai, teksa nxjerr nga xhepi një kartëmonedhë 5 euro.
Albani megjithatë e konsideron veten me fat që përfundoi me kaq. Një duzinë drejtuesish automjetesh janë përfshirë në incidente të ndryshme, për shkak të lënies pas dore të mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit.
Rënia e gurëve nga shpatet e maleve, pasi ende nuk janë mbuluar tërësisht me rrjeta mbrojtëse, mungesa e barrierave mbrojtëse në zona të rrezikshme apo mungesa e sinjalistikës nëpër ura e kanë kthyer këtë rrugë, që ka kushtuar miliona euro, në burim aksidentesh.
Shteti nuk “kursehet”, por rruga lë për të dëshiruar
Referuar kontratës me shtetin shqiptar, koncesionari “Albanian Highway Concession” ka marrë përsipër, jo vetëm mirëmbajtjen e aksit Milot-Morinë, por edhe ndërtimin e pjesës së mbetur, përfshirë edhe urat. Pas kësaj Rruga e Kombit do të jetë një superstradë me dy karrexhata, me nga dy korsi vajtje-ardhje, krahas atyre të emergjencës.
Por, të dhënat dhe faktet e grumbulluara nga Investigative Network Albania faktojnë se koncesionari i ka marrë lekët, por nuk i ka kryer punimet sipas detyrimeve kontraktuale. Më konkretisht, të dhënat e vëna në dispozicion nga Ministria e Infrastrukturës konfirmojnë se, nga 12 komponentë që përmbante kontrata, 6 prej tyre nuk ishin përmbushur ende deri në gjysmën e parë të vitit 2022.
Rehabilitimi i urës ekzistuese mbi lumin Drin është realizuar në masën 39.5%, zbatimi i masave mjedisore është zbatuar në masën 54%; masat korrigjuese në ura janë përmbushur në masën 64.5%.
Me tejkalim 385% ka rezultuar edhe ndërtimi i sheshit të traut; po ashtu tejkalim me gati tri herë më shumë ka shënuar edhe zëri “traffic furniture“, duke u realizuar në masën 271%; edhe komponenti i ndërtimit/përmirësimit të mbikalimeve dhe kryqëzimeve është tejkaluar me 142%.
“Nuk është parashikuar rimbursim apo fatura shtesë për buxhetin e shtetit në lidhje me investimet më të larta, të realizuara apo që janë në vazhdim nga koncesionari”, – sqaron Ministria e Infrastrukturës, teksa vë në dukje se të gjitha kostot shtesë janë detyrime të koncesionarit.
INA MEDIA ka konstatuar në terren mungesa të theksuara në realizimin e investimeve, që rezultojnë në letër me ecuri të mirë apo tejkalim plani.
Kontrata koncesionare e detyron kompaninë që të nisë punimet kapitale në aksin Milot-Morinë, duke filluar nga data e nënshkrimit të saj, e cila përkon me vjeshtën e vitit 2017.
Që nga ky moment (pra, viti 2017) koncesionari merr përsipër të kryejë punimet kapitale, si edhe ato të mirëmbajtjes në autostradë, të cilat fillojnë që nga shërbimet rutinë e deri te vendosja e rrjetave anësore për mbrojtjen nga gurët dhe rrëshqitjet e vogla; mirëmbajtja e asfaltit dhe urave; heqja e inerteve në rrugë; mirëmbajtja e urave; punime të tjera gjeo-teknike, deri te punimet për ndërtimin e urës së madhe në Kukës, si edhe të një ure këmbësorësh në hyrje të qytetit.
Detyrimi kontraktual nis nga Miloti, por nga vëzhgimi në terren konstatohet se, ndonëse koncesioni ka hyrë në vitin e tij të gjashtë, deri më tani nuk janë kryer punime për zgjerim apo asfaltim të rrugës, gjë e cila duhej të kishte nisur të paktën në vitin 2019 sipas kontratës.
Aksi Milot-Morinë, kilometri 3
Foto: INA MEDIA
Ndryshe nga sa saktëson kontrata, rruga vijon të jetë me një karrexhatë dhe dy korsi nga Miloti në Rrëshen, ku edhe fillon pjesa tjetër me dy karrexhata me nga dy korsi.
Fillimi i aksit Rrëshen-Kukës, ku rruga është me dy karrexhata me nga dy korsi
Foto: INA MEDIA
Në këtë aks nuk është përmbushur as detyrimi tjetër kontraktual, ai i rrethimit anësor, i cili mungon tërësisht. Po ashtu, koncesionari nuk ka marrë masa as për rrjetat mbrojtëse kundër rënies së inerteve në rrugë, një detyrim ky i përcaktuar në kontratën koncesionare, të cilën kompania duhej ta kishte përfunduar deri në fund të vitit të dytë të fillimit të vjeljes së tarifës për përdoruesit.
Sipas këtij kalendari të gjitha këto punime duhet të kishin përfunduar në vitin 2020, duke qenë se shtatori 2018 njihet si data e fillimit të mbledhjes së tarifës, por Ministria e Infrastrukturës, që e monitoron këtë kontratë, duket se nuk e sheh atë që ndodh në terren.
“Punimet e realizuara në 31 skarpate të rrezikshme përgjatë autostradës kanë ulur rrezikun e rrëshqitjeve apo rënies së gurëve në autostradë, duke rritur kështu sigurinë e rrugës për përdoruesit”, – i tha INA MEDIA-s në një përgjigje me shkrim Ministria e Infrastrukturës.
Në mënyrë të habitshme Ministria e Infrastrukturës pranon se, përpara se ta dërgojë në redaksinë e Investigative Network Albania-s përgjigjen e kërkuar në lidhje me situatën e rrugës Milot-Morinë, e ka dërguar për konfirmim te koncesionari.
“Informacioni i mësipërm është konfirmuar, si nga shoqëria koncesionare, “Albanian Highway Concession“, po ashtu edhe nga inxhinieri i pavarur, “Dolsar Engineering inc.co“, – thotë MIE.
Ndryshe nga pjesa që kontrata i ngarkon koncesionarit të kryejë investimet, aksi Kukës-Rrëshen duket të jetë pjesa më e mirëmbajtur e rrugës, i cili në fakt u dorëzua i tillë nga shteti shqiptar te koncesionari.
Kompania ka detyrimin në kontratë që të përfundojë urën e makinave në Kukës, si edhe atë të këmbësorëve brenda 4 viteve të para të operimit të koncesionit. Deri më tani rezulton se asnjëra prej tyre nuk ka përfunduar.
Ecuria e punimeve në urën e madhe në Kukës
Foto: INA MEDIA
Kjo urë fillimisht u premtua të përfundonte në vjeshtën e vitit 2021, por së fundmi kryeministri Rama dha një tjetër afat të ri: pranverën e vitit 2023.
Me gjithë optimizmin dhe tejkalimin e afateve me dy vite, ura e madhe e makinave është në mes të punimeve, kurse ajo e këmbësorëve nuk ka filluar ende.
Vonesat në ndërtimin e urave konfirmohen edhe nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës (MIE) për INA MEDIA-n, ku theksohet se deri në gjysmën e parë të vitit 2022 nuk ka asnjë euro të investuar në drejtim të ndërtimit të urës së këmbësorëve, kurse investimet e kompanisë, sipas saj, për urën e makinave janë 83%.
Megjithatë, ky 83% nuk përkon me punimet në terren. Vetë ministria sqaron se koncesionari e ka rritur vlerën e investimit në këtë urë, duke e çuar nga 15 milionë euro të parashikuara, në 24 milionë euro, ndërkohë që deri tani janë realizuar 12 milionë euro punime. Pra, nëse marrim si kosto finale 24 milionë euro dhe jo 15 milionë, mbi të cilën ka bërë llogaritë Ministria e Infrastrukturës, atëherë edhe në këtë objekt janë realizuar vetëm 50% të punimeve dhe jo 83%, siç thotë MIE. Kjo konfirmohet edhe nga pamjet e siguruara në terren nga INA MEDIA në muajin shkurt 2023, ku duket se punimet në urën e madhe nuk janë as në gjysmën e tyre.
MIE deklaron se investimi total për punimet kapitale është rritur, duke kapur shifrën e 60 milionë eurove, nga 40.8 milionë euro që ishin parashikuar.
Por, nga ana tjetër, koncesionari “ka rrudhur” investimet për rrjetat anësore. Ato mungojnë në një pjesë të mirë të rrugës, duke u vendosur vetëm në pikat e nxehta, ku bien më së shumti inerte.
Rrjetat mbrojtëse në shpatet e malit mungojnë tërësisht në aksin Milot-Rrëshen dhe pjesërisht në aksin Rrëshen-Kukës
Foto: INA MEDIA
Gjithashtu, INA MEDIA konstatoi në terren se rrjeta rrethuese është e dëmtuar në mjaft segmente të rrugës, madje, edhe atje ku është funksionale, ka një gjatësi jo më të lartë se 1.5 metra, duke mos mundur të pengojë tërësisht futjen e kafshëve të egra në asfalt.
Pavarësisht kësaj situate në terren, Ministria e Infrastrukturës duket e kënaqur me punimet e kompanisë, për sa i përket këtij elementi, duke sqaruar se ky investim i ka kushtuar koncesionarit miliona euro.
“Kompania ka përfunduar më shumë se 92% të punimeve për rrethimin e rrugës me rrjetë. Investimi për rrethimin e rrugës me një rrjetë të tillë i ka kushtuar kompanisë koncesionare rreth 2 milionë euro”, – saktësohet në tabelën e ecurisë së komponentëve, të servirur nga Ministria e Infrastrukturës.
Çarja e gomave të mjeteve gjatë kalimit në ura është një tjetër “normalitet”, që haset shpesh në këtë aks. Edhe MIE i pranon problemet me masat korrigjuese në ura, që rezultojnë të jenë përmirësuar vetëm me 65%.
Ndërkohë, vetëm pak kilometra më tej kufirit, Kosova aplikon një standard krejt tjetër sa i përket mirëmbajtjes së urave, vendosjes së rrjetave mbrojtëse, rrethimit, si edhe cilësisë së asfaltit.
Urë në aksin Rrëshen-Kalimash. Pjesa e dëmtuar mbart një rrezik të përhershëm për përdoruesit e rrugës
Foto: INA MEDIA
INA MEDIA iu drejtua me një kërkesë për koment kompanisë koncesionare në lidhje me këto problematika, por deri në publikimin e këtij materiali nuk morëm përgjigje.
Por, nëse kompania koncesionare nuk i ka përmbushur ende të gjitha detyrimet që rrjedhin nga kontrata, qeveria shqiptare ka përmbushur në kohë çdo detyrim financiar që rrjedh nga kontrata koncesionare me kompaninë “Albanian Highway Concession“.
Kontrata koncesionare, dhënë ndaj “Albanian Highway Concession” nga shteti shqiptar, është një ndër më të mbrojturat me garanci në shërbim te privatit. Krahas transfertave të drejtpërdrejta, buxhetore që bëhen çdo vit me qëllim ndërtimin e pjesëve të mbetura pa mbaruar të këtij aksi, qeveria e ngarkon veten edhe me detyrimin për të kompensuar çdo mosrealizim të ardhurash të koncesionarit nga tarifa e kalimit për përdoruesit e rrugës.
Të dhënat e siguruara nga INA MEDIA konfirmojnë se përgjatë viteve 2018-2022 shteti shqiptar ka transferuar më shumë se 3.2 miliardë lekë në drejtim të privatit, me qëllim që ky i fundit të vijojë përfundimin e punimeve dhe mirëmbajtjen e autostradës.
Transferta nga buxheti i shtetit për AHC 2018-2022
Burimi: Ministria e Financave
Përpunimi grafik: INA MEDIA
Gjatë vitit 2022 Ministria e Infrastrukturës i ka bërë dy pagesa koncesionarit. Pagesa e parë është bërë më 29 mars 2022, me vlerë 380 milionë lekë, kurse tjetra, në shtator 2022, me vlerë 360 milionë lekë.
Ndërsa transfertat e buxhetit të shtetit janë kryer rregullisht sipas një kalendari të paracaktuar mes shtetit shqiptar dhe koncesionarit, kompania koncesionare nuk i ka përmbushur të gjitha detyrimet brenda afateve të caktuara sipas kontratës.
Të dhënat e koncesionarit tregojnë se që prej vitit 2019 kompania i tejkalon vazhdimisht të ardhurat e planifikuara nga mbledhja e tarifës, duke e bërë atë një biznes me fitime tepër të larta, i subvencionuar masivisht edhe nga arka e shtetit.
Mbifaturim me kursin e këmbimit
2021 ishte një vit i begatë për koncesionarin e rrugës Milot-Morinë pavarësisht disa kufizimeve për shkak të pandemisë. Të dhënat e siguruara nga INA MEDIA tregojnë se kompania e ka tejkaluar planin e të ardhurave nga vjelja e tarifës së përdorimit të rrugës, duke arkëtuar më shumë se 1.7 miliardë lekë, nga rreth 1 miliard e 360 milionë lekë që ishin planifikuar.
Edhe qeveria u tregua dorëlëshuar, duke i kaluar si transferta të drejtpërdrejta nga buxheti i shtetit 790 milionë lekë, nga 740 milionë lekë që kishte ndarë më parë, pra, duke e tejkaluar planifikimin me 50 milionë lekë.
Edhe viti 2022 ka qenë një vit rekordesh për sa i përket vjeljes së tarifës, nisur edhe nga numri i madh i vizitorëve nga Kosova gjatë muajve të verës në Shqipëri.
Në pjesë e të ardhurave të gjeneruara nga tarifa janë pará të vjela prej koncesionarit, për shkak të kursit të këmbimit euro/lekë që aplikohet dhe që është 1 euro=132 lekë. Momentalisht kursi i këmbimit sipas Bankës së Shqipërisë është 1 euro=115 lekë, pra thuajse 17 lekë më pak.
Aktualisht, tarifa e kalimit të rrugës paguhet në euro dhe konvertohet në lekë për ata që përdorin monedhën vendase sipas një kursi fiks këmbimi, të caktuar që në momentin kur filloi vjelja e detyrimit.
Klauzola 11 e Marrëveshjes Koncesionare parashikon rishikimin e kursit të këmbimit në rast të një ndryshimi me 5% të raportit mes euros dhe lekut, por ky rishikim nuk ka ndodhur.
Të dhënat nga Banka e Shqipërisë konfirmojnë një zhvlerësim të konsiderueshëm të euros në raport me lekun gjatë dy viteve të fundit. Megjithatë, siç mëson INA MEDIA, kursi i këmbimit në traun ku bëhet pagesa për përdorimin e rrugës, është mbajtur fiks gjatë gjithë periudhës, që prej fillimit të vjeljes së tarifës në shtator të vitit 2018.
Ecuria e kursit të këmbimit euro/lekë në periudhën 1 shkurt 2021-1 shkurt 2023
Burimi: Banka e Shqipërisë
Mjetet, që përdorin rrugën, janë ndarë në pesë kategori dhe secila paguan sipas një koeficienti të paracaktuar në kontratë.
Të ardhurat nga mbledhja e tarifës për përdorimin e rrugës
Burimi: Ministria e Financave
Përpunimi grafik: INA MEDIA
Sipas kontratës, motoçikletat paguajnë 2.5 euro; auto-veturat, 5 euro; autobusët dhe kamionçinat, 11.25 euro; kamionët, 16.25 euro dhe kamionët e rëndë paguajnë 22.5 euro.
Ironia qëndron në faktin se një qytetar, i cili bën rrugën Tiranë-Kukës vajtje-ardhje, mund të paguajë tjetër çmim në vajtje dhe tjetër në ardhje, nëse në njërën nga udhëtimet nuk i gjenden euro me vete. Kjo ndodh për shkak se kompania aplikon një kurs këmbimi 1 euro=132 lekë, duke e çuar koston totale të një autoveture në 660 lekë.
Kompania “Albanian Highway Concession” refuzoi të komentonte, përse nuk është rishikuar kursi i këmbimit, pavarësisht se kjo përcaktohet si kusht në kontratë në rast të ndryshimeve të forta në tregun e këmbimit valutor.
Nga ana tjetër, Ministria e Infrastrukturës shprehet se, përdoruesit e rrugës, jo vetëm nuk janë mbi-faturuar, por madje koncesionari ka sakrifikuar nga të ardhurat e tij, duke mos e ndryshuar kursin e këmbimit. Sipas MIE, nëse do ta bënte këtë, sipas një formule të komplikuar që gjendet në kontratë, atëherë kostoja do të ishte edhe më e lartë për çdo përdorues rruge.
“Referuar klauzolës 11.4.4A, koncesionari ka të drejtë që ta rishikojë tarifën 3 herë në vit. Mekanizmi i llogaritjes së tarifës rregullohet në bazë të formulës dhe indekseve të vendosura në marrëveshje; nga llogaritjet ka rezultuar një tarifë më e madhe në euro, po ashtu dhe në lekë”, – shprehet MIE në një përgjigje me shkrim për INA MEDIA-n.
Sipas Bankës së Shqipërisë, përgjatë vitit të fundit euro vetëm një herë ka patur një çmim 125 lekë në tregun vendas, ndërkohë që përgjatë gjithë periudhës shkurt 2022-shkurt 2023 është vërtitur mes 116-118 lekëve.
Nëse do të rishikohej kursi i këmbimit, duke aplikuar një mesatare të tij përgjatë vitit, atëherë një autoveturë, që përdor sot aksin Milot-Morinë, nuk do të paguante 660 lekë, por 580 deri në 600 lekë maksimumi.
Diferenca plus për shkak të kursit të pandryshuar për një autoveturë është 60 lekë, kurse për një kamion të rëndë diferenca plus është mesatarisht 300 lekë.
Duke marrë në konsideratë se përgjatë vitit 2021 kanë paguar tarifën rreth 2.3 milionë autovetura, ku rreth 300 mijë janë banorë të Kukësit, të cilët paguajnë një tarifë të reduktuar, ndërkohë që e gjithë pjesa tjetër ka paguar tarifën e plotë, të gjithë ata, që kanë paguar në lekë, janë mbi-faturuar.
Banorët e Kukësit, një fitore me shumë kosto
Me protestën e tyre në pranverën e vitit 2018 banorët e detyruan qeverinë dhe koncesionarin, që të aplikonte tarifa më të ulëta për ta si përdorues të shpeshtë të rrugës, por kjo nuk ishte një fitore pa kosto. Aktualisht, për ta aplikohen tarifa të reduktuara: 100 lekë për autoveturat dhe 50 lekë për motoçikletat.
Ervin Meshi ka më shumë se katër vite që endet dyerve të gjykatës, pasi u arrestua nga policia gjatë protestës së banorëve të zonës në Kalimash.
Ervin Meshi, Kukës
Foto: INA MEDIA
Ai thotë për INA MEDIA-n se ende përndiqet për pjesëmarrjen në atë protestë.
“Më kanë arrestuar kot. Nuk kam bërë asgjë të paligjshme atje. Si unë kanë qenë edhe shumë kuksianë të tjerë”, – shprehet ai, ndërsa thekson se shpesh i është dashur të bllokohet në rrugë, duke ardhur nga Kukësi në Tiranë apo anasjelltas për shkak të ndërhyrjeve të vonuara të kompanisë koncesionare në pastrimin e inerteve të rëna në rrugë apo edhe të dëborës.
Gjatë kësaj proteste u shkatërrua tërësisht infrastruktura e ngritur më herët nga koncesionari për të vjelë tarifën e rrugës. Rivendosja e saj u shoqërua edhe me një ulje të ndjeshme të tarifave për banorët e Kukësit.
Megjithatë, as kjo nuk vlen sipas Rifat Demaliajt, drejtor i Qendrës për Progres Rinor, Kukës. Ai shpjegon për INA MEDIA-n se, ndryshe nga sa pritej, koncesioni ka shkaktuar probleme sociale dhe ekonomike për qytetin.
Rifat Demalia, Kukës
Foto: INA MEDIA
“Tarifa ka rritur edhe më shumë kostot e jetesës në Kukës. Bizneset shkojnë dhe vijnë në Tiranë më shtrenjtë, duke e pasqyruar këtë në çmimet e produkteve dhe shërbimeve”, – rrëfen ai, duke radhitur shkaqet, që çuan në organizimin e protestave kundër tarifës.
Aksi Milot-Morinë është kontrata e parë koncesionare e këtij lloji, dhënë nga shteti shqiptar, e cila synon që të mundësojë përfundimin e punimeve kapitale në rrugës, siç janë: zgjerimi i saj apo ndërtimi i urave të mbetura, rritja e kushteve të sigurisë, si edhe mirëmbajtja periodike. Kjo kontratë zotërohet 50% nga Kastrati Group dhe 50%, nga Salillari.
“Rruga nuk ishte ndërtuar ende dhe u dha me koncesion. Mirëmbajtja bëhej më mirë, kur e kishte shteti se sa tani, ndërsa kompania ka gjetur edhe një kleçkë për të mos dëmshpërblyer të aksidentuarit, duke vendosur tabela kufizimi shpejtësie 60 km/h në zonat ku mund të lëvizësh më shpejt dhe, nëse bën aksident, ta mbash fajin vetë”, – përfundon Rifat Demalia, aktivist dhe banor i Kukësit.
Ky shkrim është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit. / This article is part of a project that is financially supported by the Public Relations Office of the US Embassy in Tirana. The opinions, findings, conclusions, and recommendations expressed are those of the author(s) and do not necessarily represent those of the Department of State. Titulli i origjinalit: “Milot-Morinë”, probleme me mirëmbajtjen, MIE e nxjerr me tejkalim plani: Koncesionari po sakrifikon nga të ardhurat e veta