zoom

Aktualitet

Rregullorja e re për policinë: Përdoruesit e drograve nuk do të arrestohen, vetëm do të shoqërohen

Përdoruesit e lëndëve narkotike nuk do të arrestohen kur nuk është e nevojshme, por do të shoqërohen në polici, duke shmangur kështu problematikat dhe minimizimin e rasteve, që jo pak herë kanë përfunduar në tragjedi.

Duke marrë shkas nga ngjarja e 27-vjeçarit Jani Rustemaj, i cili përfundoi në gjendje kome pas arrestimit për vjedhjen e një tapeti, drejtuesit e policisë kanë kërkuar kujdes në trajtimin e këtyre rasteve duke zbatuar procedurat standarde.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, i ka dërguar një shkresë komisariateve, që personat të cilët janë përdorues të rregullt të drogave të forta për vepra penale të lehta, vetëm të shoqërohen dhe jo të arrestohen kur nuk është e domosdoshme.

Vocaj prej 1 jave ka lëshuar një udhëzim për 6 komisariatet e kryeqytetit për mënyrën e trajtimit të këtyre rasteve.

Ligji parashikon mbajtjen deri në 10 orë në komisariat, por nisur nga varësitë e tyre ndaj substancave psikotrope rrit rriskun e komplikacioneve.

Prandaj, oficerët e narkotikëve janë udhëzuar të plotësojnë dokumentacionet për procedim në kohë dhe më pas t’i lënë të lirë kur shikohet e arsyeshme.

Komisariati, i cili në brendësi të tyre ka specialistin e zonës, do të marrë informacion për çdo person që njihet si përdorues i drogave të forta dhe do të referojë në komisariatin përkatës, ku personi është i shoqëruar, thuhet në udhëzim.

Po ashtu në lidhje me këto persona, pas shoqërimit në polici do të këtë edhe mjekun përkatës, pasi shumë herë kanë shfaqur shenja nervozizmi, këto të shkaktuara edhe nga lëndët narkotike që ata konsumojnë.

Disa ditë më parë, Jani Rustemaj u arrestua për vjedhjen e një tapeti, ndërsa dyshohet se ai ishte përdorues heroine.

Sipas burimeve paraprake, gjatë momentit të arrestimit dhe mbajtjes në bllokun e sigurisë në komisariat, ai kishte shfaqur shenja agresiviteti. 27-vjeçari vijon të jetë ende në gjendje kome në QSUT.