zoom

Aktualitet

Rikthehet në Kushtetuese padia për Durrës Yachts Marina! Gjykata cakton datën e seancës

Në Gjykatën Kushtetuese rikthehet sërish shqyrtimi i padisë së opozitës për shfuqizimin e ligjit për miratimin e marrëveshjes të investimit strategjik në projektin e Durrës Yachts Marina.

Kjo është padia e dytë që deputetët e opozitës depozitojnë në Kushtetuese. Gjykata ka vendosur më 10 Dhjetor 2024 mbajtjen e seancës së parë.

Në muajin qershor 2023, Gjykata Kushtetuese rrëzoi ankimimin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për shfuqizimin e marrëveshjen që shteti shqiptar ka nënshkruar me kompanitë “Eagle Hills Real Estate Development Albanian Seaports Development Company, sh.a”, dhe “NSHMI Development L.L.c.” për zhvillimin e projektit.

Në vendimin e saj për rrëzimin e ankimimit Gjykata Kushtetuese vlerësoi se nuk ka juridiksion për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e marrëveshjes ndërkombëtare.

Sakaq në muajin prill 2024 grupi parlamentar i Partisë Demokratike dërgoi një tjetër padi në gjykatën Kushtetuese duke kërkuar shfuqizimin bazën juridike të projektit.

Në këtë padi, që shqyrtimi nis më 10 Dhjetor 2024, është kërkuar shfuqizimi i ligjit për miratimin e marrëveshjes mes këshillit të Ministrave dhe dy shoqërive të krijuara nga Emiratet e Bashkuara. Gjithashtu kërkoi shfuqizimi si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit për transferimin e fondit të pasurisë së paluajtshme për zhvillimin e projektit.

Për zhvillimin e projektit priten të investohen 2 miliardë euro për ndërtimin e një porti jahtesh dhe një zone rezidenciale elitare, ku një nga lehtësitë është vënia në dispozicion e tokës prej 79 ha.

Projekti Durrës Yachts Marina ka marrë statusin strategjik, pas të cilit shteti shqiptar u bë bashkë-aksioner, pasi në dispozicion të projektit u vunë 79 ha tokë shtetërore. Si investitorë kompania ka përfituar lehtësi të shumta si përjashtimi nga taksa e infrastrukturës në ndërtim (4% e vlerës së shitjes dhe taksa e strehimit prej 3%).

Objekti i padisë së re

“1.Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën, si dhe me Marrëveshjet Ndërkombëtare, të Ligjit Nr.79/2022, datë 24.11.2022, “Për Miratimin e Marrëveshjes Kuadër Ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development Albanian Seaports Development Company, sh.a, dhe NSHMI Development L.L.c. në lidhje me projektin e investimit Strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”.

  1. Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të VKM-së nr. 861, dt.29.12.2021 “Për transferimin në fondin e pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike, të pronave të paluajtshme shtetërore, në ZKnr.8514, Bashkia Durrës, për zhvillimin dhe realizimin e projektit investues strategjik” Marina dhe Jahtet e Durrësit (Durrës Yachts &Marina) “, dhe për ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Autoriteti Portual Durrës te Ministria e Financave dhe Ekonomisë”, të ndryshuar me VKM nr. 494 dt.21.7.2022, të ndryshuar me VKM nr. 685, dt. 26.10.2022 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Vendimin nr. 861, dt.29.12.2021, të KM, “Për transferimin në fondin e pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike dhe kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të pronave të paluajtshme shtetërore, në ZK, 8514, Bashkia Durrës, për zhvillimin dhe realizimin e projektit investues strategjik Marina dhe Jahtet e Durrësit (Durrës Yachts & Marina)’, të ndryshuar”, të ndryshuar me VKM nr.115, dt. 1.3.2023 “Për transferimin në pronësi të shoqërisë ‘Albanian Seaports Development Company’ sha, të pronave të paluajtshme shtetërore, pjesë e fondit të pasurive të paluajtshme shtetërore, pjesë e fondit të pasurive të paluajtshme shtetërore pjesë e fondit të pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike, me vendndodhje në ZK nr. 8514 Bashkia Durrës.
  2. Pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 79/2022, si dhe të VKM-së nr. 861/2021 të ndryshuar me VKM-në nr.494/2022, të ndryshuar me VKM-në nr. 685/2022, të ndryshuar me VKM-në nr. 115/2023 derisa vendimi i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi.”

Projekti

“Durrës Yacht Marina” është një shoqëri e përbashkët mes qeverisë shqiptare (33% përmes Albanian Seaports Development Company) dhe dy shoqërive nga Emiratet e Bashkuara (Eagle Hills Real Estate Development, sh.a., dhe Nshmi Development L.L.C”, me 67% së bashku) dhe po zbaton projektin me status strategjik “Marina dhe Jahtet e Durrësit”.

Gjithsej, parashikohet ndërtimi i gati 13 mijë apartamenteve (4 mijë në fazën e parë dhe rreth 8,600 në fazën e dytë), ndërsa do të këtë vetëm pak hotele me më shumë se 850 dhoma. Parashikohen vetëm 280 vende për jahte. 93% e sipërfaqes së ndërtimit të parashikuar do të jetë rezidenciale dhe nga 3.5% përkatësisht do të jenë hotele dhe sipërfaqe tregtare.

Investimi i parashikuar në fazën e parë është 595 milionë euro. Por, Kompanive investitorë u kërkohet që të mbajnë në llogaritë e tyre një shumë që korrespondon me tridhjetë për qind (30%) të financimit të nevojshëm për zhvillimin e sheshit të fazës 1, pra rreth 180 milionë euro, ndërsa mund të grumbullojnë të ardhura nga shitjet, apo të fusin bashkë financues të tjerë.

Paralelisht me ndërtimin e apartamenteve, parashikohet të kryhet dhe zhvendosja e Portit të Durrësit në Porto Romano, një proces që pritet të zgjasë me vite. Projekti parashikon edhe ndërtimin e hoteleve, me pesë yje dhe një tjetër me katër yje, me më shumë se 850 dhoma.

Punimet e projektimit për hotelin e parë pritet të fillojnë në tremujorin e parë 2023 dhe ndërtimi në tremujorin e fundit po të 2023. Pjesa tjetër është planifikuar në faza, bazuar në marrjen e tregut, sipas planit të biznesit.

Shitjet

Më 8 dhjetor 2022 kompania “Eagle Hills Real Estate Development” hapi zyrtarisht shitjet e apartamenteve, edhe pse nuk kishte nisur nga puna ngritja e godinave në komplekset rezidenciale.

Skema e pagesës për blerësit që prenotojnë apartamente, vijon të mbetet e njëjta referuar kontratës së “Marrëveshjes për prenotimin e interesit” që u shpërnda ditën e parë së nisjes së shitjeve të apartamenteve.

Shlyerja për totalin e vlerës së apartamentit vijon të jetë sipas skemës e ndarë në 7 këste. 3 prej këtyre kësteve apo 40% e vlerës së apartamentit paguhen para marrjes së lejes së ndërtimit e ndarë në 20% e çmimit të blerjes të paguhet brenda 5 ditëve nga nënshkrimi i Marrëveshjes Paraprake të Shitjes; 10% e çmimit të blerjes të paguhet jo më vonë se 3 muaj nga data e lejes së ndërtimit dhe 10% e çmimit të blerjes të paguhet jo më vonë se 6 muaj nga data e lejes së ndërtimit.

Pjesa tjetër e vlerës totale të apartamentit do të paguhet nëpërmjet 3 kësteve sipas skemës: 15% e vlerës para ose pas përfundimit të strukturës, 20% të çmimit do të paguhet para ose pas vendosjes së xhamave dhe 5% e çmimit të blerjes të paguhet brenda 5 ditëve nga data e nënshkrimit të kontratës së shitjes për transferimin e titullit të pronësisë së pronës.

Në ankandin e zhvilluar në korrik, për shitjet e apartamenteve në godina për të cilët nuk kanë filluar punimet, çmimet e apartamenteve në “Durrës Yachts Marina” arritën deri në 3,000 euro/m2 apo 10% më shtrenjtë nga ankandi paraardhës./Monitor