zoom

Aktualitet

Rëndohet bilanci në Itali, 2 shqiptarë të vdekur pas përplasjes me bandën marokene

Shkon në dy numri i shqiptarëve që ndërruan jetë në Frosinone të Italisë, pas një përplasjeje me armë me një bandë marokene.

Referuar mediave italiane, shqiptari i dytë humbi jetën në spital prej plagëve të rënda që kishte marrë.

Shqiptari i parë vdiq vetëm pak minuta pas ngjarjes në vendin e krimit.

Nga të shtënat mbetën të plagosur edhe dy shqiptarë të tjerë, të cilët ndodhen në spital.

Si ndodhi ngjarja

Sipas mediave në Itali, grupi i të rinjve nga Shqipëria ishin ulur në një tavolinë në lokal. Menjëherë rreth orës 19:30 kanë ardhur me një makinë tip “Lancia” grupi i marokenëve, të cilët janë përplasur me shqiptarët.

Sipas rindërtimit të skenës së krimit, një prej tyre ka qëlluar me armë zjarri nga makina në drejtim të shqiptarëve. Pasi kanë kryer krimin e rëndë, autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes me shpejtësi duke braktisur dhe mjetin me të cilin lëviznin.

“Jam i shokuar, nuk mund të them asgjë. Për mua kjo që ndodhi është e pashpjegueshme. Është një plagë për të gjithë qytetin. Mund të konfirmoj që nesër në mëngjes do të flasim me prefektin”, tha kryetari i Bashkisë Frosinone, Riccardo Mastrangeli.

Policia ka nisur shoqërimet dhe marrjet në pyetje për të zbardhur dinamikën dhe shkaqet e ngjarjes.