zoom

Bota

REAGIMET/ Silvio Berlusconi, ish-kryeministri plot ngjyra që shumë e donin dhe shumë e urrenin

Një miliarder i medias dhe manjat pronavsh, i kthyer në politikan, Silvio Berlusconi u ngjit në krye të politikës italiane në vitet 1990, duke udhëhequr vendin për gati një dekadë gjatë tre mandateve si kryeministër.

Megjithatë, vitet e fundit, karriera e tij politike u njollos nga një sërë skandalesh, duke reduktuar profilin dhe ndikimin e tij.

Zgjedhjet e fundit të përgjithshme të Italisë, të cilat panë partinë e tij Forza Italia t’i bashkohej koalicionit qeverisës të Melonit, shënuan kthimin e Berlusconit në qendër të vëmendjes së brendshme – megjithëse në një rol të zvogëluar.

Kolegët dhe kundërshtarët e politikës italiane i bënë homazhe ish-kryeministrit. Matteo Salvini, ministri aktual i Brendshëm i Italisë, tha se Berluskoni ishte “një njeri i madh dhe një italian i madh”.

Ish-kryeministri Matteo Renzi shkroi në Twitter: “Silvio Berlusconi bëri histori në këtë vend. Shumë e donin, shumë e urrenin: të gjithë sot duhet të pranojnë se ndikimi i tij në jetën politike, por edhe ekonomike, sportive dhe televizive ishte i paprecedentë… Në këto orë mbaj me vete kujtimet e mbledhjeve tona, të këshillave të shumta, të marrëveshjeve tona, e përplasjeve tona. Por mbi të gjitha një telefonatë në të cilën Silvio, jo Presidenti, më bëri të derdh lot kur flisja për nënën time.”

Ish-kryeministri Romano Prodi tha se Berlusconi “ushtroi një ndikim të madh në jetën e vendit tonë, duke prekur jo vetëm institucionet, por edhe jetën e të gjithë njerëzve të tij. Në konfrontimin tonë të gjatë politik, ne kemi përfaqësuar botë të ndryshme dhe të kundërta, por rivaliteti ynë nuk kaloi kurrë në ndjenja armiqësie në nivel personal, duke ruajtur respektin reciprok”.