zoom

Aktualitet

Rama zgjidh hallin e vet me TikTok, shqiptarët le të vriten

Kryeministri Rama u tha sot shqiptarëve se ai kishte takuar në Myhin zv.shefin e TikTok për t’u zgjidhur atyre hallet që u ka hapur kjo platformë.

Njoftoi me anë të zyrës së vet të shtypit se diskutoi “me mirëkuptim të plotë për ngjarjet e fundit në Shqipëri dhe nevojën për të rritur vigjilencën kundër dhunës, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online”.

Për ata që e dinë se si funksionon TikTok, llafosja e Ramës është një vrimë në ujë. TikTok është një prej platformave më të pakontrolluara. Në të gjithkush mund të publikojë thuajse gjithçka, që nga mesazhet kërcënuese, foto nudo si në rastin e para pak ditëve që shkaktoi fatkeqësinë e një 27 -vjeçarje në Kamzë, gjuhë dhune dhe urrejtjeje, shantazhe e çdo gjë tjetër.

Këtë problem TikTok e ka në mbarë botën dhe në shumë vende institucionet shtetërore, përfshirë Shtëpinë e Bardhë, u kanë kërkuar punonjësve që ta heqin nga telefonat e tyre, sepse ka dyshime se përdoret nga qeveria kineze për spiunazh.

Kryeministri i Shqipërisë, që të ndjekë shembullin e këtyre vendeve sajon takime partneriteti me TikTok.

Shefi i TikTok ishte pak kohë më parë përballë Kongresit amerikan dhe kongresistët e “kryqëzuan” si fajtor, duke i thënë atij dhe drejtuesve të katër platformave të tjera sociale se i kanë duart me gjak.

Por kryeministri i Shqipërisë duket se i beson më shumë shprehjes “gjarpri nuk është gjarpër, mjafton të mos më kafshojë mua”. Prandaj, siç kanë mësuar gazetarët, Rama e ka pasur hallin te vetja dhe jo të zgjidhë hallet e shqiptarëve, për shkak se në këtë platformë edhe thirrjet e pakënaqsisë kundër tij sa vijnë e shtohen. /Zoom.al