zoom

Aktualitet

Rama shtyn afatin e aeroportit të Vlorës që të favorizojë aeroportin e Tiranës?

Muaji dhjetor i vitit 2024 ishte parashikuar si afati i fundit për përfundimin e aeroportit të Vlorës.

Të paktën, ky ishte afati i vendosur nga vetë kryeministri Edi Rama në nëntor të vitit 2022, gjatë një vizite në Vlorë, ku ndoqi nga afër punimet e aeroportit.

“Pa harruar aeroportin u punimet ecin shumë mirë dhe fluturimin e parë do ta kemi në fund të vitit 2024 dhe shpresojmë të mos kemi surpriza. Aeroporti i Vlorës pati shtyrje që ishin jashtë vullnetit tonë, por tani është tërësisht në vijë dhe nëse nuk ndodh ndonjë gjë e paparashikuar jam besimplotë që në fund të vitit 2024 do të kemi fluturimin e pare”, do të deklaronte Edi Rama rreth një vit më parë.

Por mëngjesin e kësaj të marte, kreu i qeverisë e nisi me një postim në “Facebook”, ku njoftoi se avioni i parë në pistën e Vlorës do të ulet në verën e vitit 2025, pra disa muaj më vonë sesa afati i parë që kishte njoftuar vetë.

“MIRËMËNGJES 😊
dhe me Aeroportin e Ri Ndërkombëtar të Vlorës, ku ka marrë formë e gjithë gjurma e pistës, e ku punohet me ritëm të lartë me synimin për të ulur avionin e parë në verën e vitit 2025, kur #ShqipëriaTuristike do të hyjë në fazën tjetër drejt marrjes së vendit kampion në Ballkan për turizmin brenda kësaj dekade, ju uroj një ditë të paqme🙏”, shkruan Rama në postimin e tij.

Por, a po bëhet kjo shtyrje e vënies në funksion të plotë të aeroportit të Vlorës për të favorizuar aeroportin e Tiranës?

Zoom.al ka denoncuar sesi “de jure” tregu i fluturimeve është oligopol, por “de facto” ai është monopol, në dorë të TIA-s, menaxhuar nga “Kastrati Group”.

Aeroporti i Kukësit po kthehet jofunksional, lidhur kjo dhe me numrin e vogël të popullsisë në zonat e veriut dhe destinacionet e pakëta që ofron aeroporti.

Nga ana tjetër, ai i Vlorës jo vetëm është ende jofunksional, por edhe po shtyhet vazhdimisht për t’u vënë në punë dhe për të qenë i aksesueshëm nga qytetarët. A bëhet kjo në shërbim të aeroportit të Rinasit?

Në këto kushte, të gjithë udhëtarët “dynden” tek aeroporti i Rinasit, përkthyer kjo në fitime miliona euroshe në një periudhë të shkurtër kohore. Deri në qershor 2023 në Shqipëri hynë 6 mln pasagjerë, shumica nga rrugët ajrore. Sipas marrëveshjes të miratuar në parlament nga mazhoranca socialiste në fillim të vitit 2021, koncesionari do të marrë 10 euro taksë aeroportuale për çdo biletë apo pasagjer mbi 12 vjeç që hynte apo dilte nga ky aeroport.