zoom

Lajme

Rama shpalos në “Rai 3” projektin ambicioz, planifikon të “mbysë” Tiranën me kulla

Pas përplasjeve me stafin e televizionit italian “Rai 3” për investigimin e kryer më 21 prill për kampin e refugjatëve në Gjadër e Shëngjin, kryeministri Edi Rama shpjegoi përballë gazetarit italian qëndrimin e tij.

Ai përsëriti në televizionin “Rai 3” se për të, pjesa e parë e investigimit ishte e neveritshme, ndërsa shpjegoi si lindi ideja e ngritjes së kampit në Lezhë në bashkëpunim me kryeministren Giorgia Meloni.

Gjatë intervistës, gazetari Giogio Mottola ndalet edhe te ndërtesat e ngritura në Tiranë në vitet e fundit, duke pyetur Ramën me çfarë parash janë realizuar të gjitha projektet.

Në këtë pikë, Rama flet për një plan “ambicioz” për të shtuar edhe më shumë gradaçelat në kryeqytet brenda pesë vitesh.

Intervista e Ramës për “Rai 3”:

Gorgio Mottola: Atëherë, Kryeministër, falemnderit që pranuat këtë intervistë. E vlerësojmë shumë si shenjë disponibiliteti të madh. Pyetja e parë është kjo: Ju e përkufizuat emisionin tim, hetimin tim si “të neveritshëm”. Është gabim përkthimi apo donit vërtet të thoshit “i neveritshëm”?

Edi Rama: Tani jeni këtu në shtëpinë time dhe nuk do doja të këmbëngulja tek ajo fjalë, por, nëse doni të këmbëngulni, po, ishte shumë i neveritshëm.

Gorgio Mottola: Pse?

Edi Rama: Sepse ishte shumë e qartë që qëllimi ishte të bënit një emision për qendrat e pritjes së migrantëve dhe është e drejta juaj e shenjtë, unë nuk mundem as ta vë në diskutim, që ju të keni opinionin tuaj, të informoni publikun tuaj rreth këtij opinioni, të mblidhni faktet… Por, ta lidhësh këtë histori italiane tuajën me gjithçka kishit qepur bashkë për Shqipërinë, qeverinë shqiptare, për Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, me personazhe të themi mjaft të errëta të Shqipërisë, dukej sikur, në fakt, ishte e qartë që mesazhi ishte se marrëveshja bëhej midis një qeverie italiane, të cilën ju nuk e fshihni që nuk e vlerësoni dhe…

Gorgio Mottola: Ne i kemi kritikuar të gjitha qeveritë.

Edi Rama: … dhe midis një qeverie në Shqipëri, që del si një partnere në hije, me personazhe të lidhura me trafikun e narkotikëve apo me këtë ose atë tjetrën. Kjo është pjesa e neveritshme, jo fakti që ju trajtoni në programin tuaj problemin sesi do të administrohet e gjithë kjo marrëveshje. Edhe vënia në dyshim e vetë idesë së marrëveshjes, dhe i gjithë një një mal gjysmë të vërtetash, të cilat janë gënjeshtrat më të mëdha, është e neveritshme.

Gorgio Mottola: Do ju jap sigurisht mundësinë të shpjegoheni për këtë punën e narkoshtetit. Do ta nis nga qendrat për imigrantët. Si lindi kjo ide? Kush jua propozoi?

Edi Rama: E kam thënë dhe e përsëris, ka qenë një kërkesë mjaft miqësore nga Giorgia, nëse do ta merrja në konsideratë mundësinë për të bërë diçka bashkë për këtë dhe unë i thashë “pse jo, ta mendojmë”. Pastaj, kaluan muaj, ajo erdhi në Shqipëri dhe patëm mundësi të diskutojmë më gjatë se çfarë mund të bëhej, cila mund ishte pjesa jonë në këtë gjë dhe, pastaj, e bëmë.

Gorgio Mottola: Megjithatë, nuk mendoni se dëbimi i migrantëve që përpiqen të mbërrijnë në Itali drejt Shqipërisë është një shkelje e të drejtave themelore të njeriut?

Edi Rama: Kjo është një mënyrë për ta parë gjënë, por ka edhe një mënyrë tjetër për ta parë, sepse gjeografia nuk mund të jetë mallkimi i Italisë, që është lënë e vetme për shumë kohë. Në momente dramatike në kohë është braktisur vërtet në vetminë r saj, sepse, nëse dikush vë këmbë në Itali, vë këmbë në Europë. Pra, nuk është një që mbërrin aty dhe Italisë i duhet ta menaxhojë vetë; është dikush që mbërrin në Europë dhe Europa duhet ta menaxhojë së bashku. Për më tepër, ka një dispozitiv të rëndësishëm të legjislacionit europian, që është rishpërndarja dhe që, qartësisht, nuk ka funksionuar. Në dëm të Italisë. Ndërkohë ne nuk jemi një vend që është pjesë e BE-së, ne jemi pjesë e E-së, pra jemi vend europian e gjendemi në anën tjetër të detit nga Italia dhe, thjesht, kemi marrë përsipër një përgjegjësi si europianë, në kuptimin që, ju keni nevojë që ne të kontribuojmë e të marrim pjesë. Nëse këtë gjë do ta kishte bërë Sllovakia, Polonia apo kushdo tjetër që është në Bashkimin Europian, asgjë nuk do të ishte thënë, por fakti që Shqipëria nuk është në Bashkimin Europian, ngre gjithë këtë zhurmë dhe, më pas, këtë interpretim, do të thoja subjektiv, të faktit.

Gorgio Mottola: Po, nëse, në kohën kur shqiptarët kalonin përmes Kanalit të Otrantos për të mbërritur në Itali, të dëboheshin në Tunizi, në Egjipt, në pritje të përgjigjes për kërkesën e tyre për azil, çfarë do të mendonit?

Edi Rama: Para së gjithash, nuk është e njëjta gjë…

Gorgio Mottola: S’ka gjë, rifillojmë.

Edi Rama: E dëgjuat? Ai ka ide subversive…

Gorgio Mottola: Ide subversive? Absolutisht jo.

Edi Rama: Bëj shaka. Para së gjithash, nuk është e njëjta gjë. Jemi në një situatë ku duhet një qasje e përbashkët europiane, e të gjithëve. Nuk është një temë e politikës së ditës apo interesave zgjedhore, është një çështje shumë e madhe për t’u kthyer në objekt përplasjesh politike. Sepse në fund të fundit, të gjithë, kur vijnë në qeveri, e mendojnë njësoj dhe kërkojnë të bëjnë thuajse të njëjtën gjë. Qoftë e majta apo e djathta, në Itali e kudo, flasin për kontrollin e flukseve, flasin për flukse të paligjshme, flasin…

Gorgio Mottola: Absolutisht…

Edi Rama: Atëherë, çfarë?!

Bëjmë moral kur rrimë aty e shohim të tjerët që iu duhet ta menaxhojnë dhe, pastaj, kur vjen puna për ta menaxhuar vetë bëjmë të njëjtën gjë? Këtu ka nevojë për një tryezë të madhe të përbashkët të të gjithëve, përtej së majtës dhe së djathtës, për të kuptuar, nga njëra anë, që ka një demografi që po ndëshkon një Europë të tërë, të themi, sidomos Europën e vjetër…

Gorgio Mottola: Një dimër demografik.

Edi Rama: … me rritjen e moshës së popullsisë që nuk duket se po ka një zgjidhje, ndërkohë, nga ana tjetër, ka një nevojë të jashtëzakonshme për fuqi të re punëtore. Ku do i gjejnë? Se nuk më duket që të rinjtë italianë janë të prirur të bëjnë më shumë fëmijë, për të ndihmuar flamurin trengjyrësh.

Giorgio Mottola: Këtu dalloj Ramën socialist.

Edi Rama: Ramën socialist?… Në fakt, unë jam socialist pak i çuditshëm, sepse nuk besoj në llogoret ideologjike. Unë besoj në zgjidhjet e përbashkëta dhe në zgjidhjet që funksionojnë. Nëse një zgjidhje funksionon, funksionon dhe nuk mund të etiketohet si e majtë apo e djathtë dhe pastaj të bëhet diçka që nuk funksionon.

Gorgio Mottola: Atëherë, më këtë marrëveshje po kontribuoni për ndërtimin e një modeli, sipas të cilit, vendet e pasura do ta zgjidhin problemin duke ua shkarkuar atë në kurriz vendeve të varfra?

Edi Rama: Para së gjithash, e kam thënë që në fillim, Shqipëria nuk mund ta zgjidhë këtë problem, çfarëdo të bëjë. Ky problem zgjidhet së bashku dhe nuk është një problem që mund ta transferosh, është një problem që duhet ta godasësh dhe duhet goditur bashkërisht. Në këtë kuptim, po flisja për përmbajtjen e kësaj Europe, përballë kësaj sfide të plakjes dhe mungesës së krahut të punës dhe, nga ana tjetër, po flisja për nevojën për të mos rënë viktimë e të gjitha dëshirave kriminale të atyre që përdorin varfërinë, që shfrytëzojnë të gjitha problemet e të varfërve, për t’iu marrë edhe paratë e fundit që iu kanë mbetur e për t’i sjellë në Europë pa asnjë kontroll, pa asnjë filtër, pa asnjë politikë. Atëherë, për këtë duhet punuar, jo për faktin që, nëse e bën Giorgia është keq, nëse e bën Minniti është mirë, apo e anasjellta.


Gorgio Mottola
: Pjesa tjetër e Europës e ka përqafuar këtë projekt. Manifesti zgjedhor i partive popullore europiane përmban pikërisht këtë zgjidhje: pritjen e migrantëve në kërkim të azilit në vendet e treta. Do të ndërtohen qendra të tjera këtu në Shqipëri?

Edi Rama: Ndjesë, mbi të gjitha, mendoj se pjesëmarrja e vendeve të treta nuk është zgjidhje në vetvete. Pjesëmarrja e vendeve të treta duhet të jetë vetëm pjesë e një zgjidhjeje më komplekse, sepse, nëse mendohet që vendet e treta janë zgjidhja, atëherë, nuk do të shkojmë kurrkund, nuk do të ketë zgjidhje dhe do të përfundojmë t’i biem murit që kemi përballë ose të përplasemi me ajsbergun që na ka dalë përpara. Të flasësh për këtë sfidë shumë të madhe që ka Europa, si të ishte diçka që lidhet me zgjedhjet e ardhshme, mandatet e ardhshme, mundësisë së ardhshme për t’u ngjitur në pushtet, është njësoj si të luash muzikë, teksa Titaniku po mbytet.

Nga ana tjetër, të mbytesh, themi ne, nuk di nëse e keni edhe ju në italisht, të mbytesh me një pikë ujë dhe ta paraqesësh këtë përpjekje për të krijuar diçka, për të provuar diçka – pa pretenduar se do zgjidhim problemin, po sidoqoftë duke kërkuar rritjen e pjesëmarrjes së vendeve – si diçka për t’u hedhur tutje, është shumë nënçmuese dhe vërtet qesharake.

Giorgio Mottola: Duke folur për fakte, Tirana është transformuar qëkur ju ishit kryetar bashkie e në vijimësi. Janë ndërtuar kulla shumë të larta fantastike. Si janë financuar këto kulla? Vitin e kaluar, në sektorin e pasurive të paluajtshme, ka pasur një investim me vlerë rreth 3,7 miliardë euro, por, pak a shumë, vetëm 800 milionë vinin nga bankat. Nga vijnë paratë me të cilat…

Edi Rama: Para së gjithash, edhe kjo nuk është e vërtetë. Këtu po ndërtojmë. Ka një numër kullash, por është vetëm fillimi. Pas pesë vjetësh, do të kemi shumë më tepër. Kemi angazhuar arkitektët më të mirë të botës. Ka gjashtë apo shtatë fitues të çmimit Pritzker, që punojnë me ne në Shqipëri. Dje isha në Lezhë, ku është vendi që kemi pritur afganët dhe ku do të jenë edhe qendrat dhe, vetëm vitin e kaluar, në Lezhë, iu shitën 500 pasuri të paluajtshme shtetasve të Bashkimit Europian, polakë, spanjollë, çekë, holandezë.

Giorgio Mottola: Po, në Tiranë, 20 për qind e apartamenteve janë bosh.

Edi Rama: Kush e thotë?

Giorgio Mottola: Të dhënat zyrtare.

Edi Rama: Jo, nuk është e vërtetë.

Giorgio Mottola: Të dhënat nga konsumi i energjisë elektrike.

Edi Rama: Jo. Po ju them diçka

Giorgio Mottola: Është nga operatori juaj elektrik.

Edi Rama: Prisni, se jeni ndotur së tepërmi nga burime informacioni, që janë të njëanshme dhe ndaj duhet të vendosim pak ekuilibër.

Giorgio Mottola: Janë të dhëna objektive,

Edi Rama: Atëherë, e para, ne kemi dalë nga lista gri e Moneyval-it, pikërisht sepse kemi një regjim shumë të fortë kundër pastrimit të parave nga ky këndvështrim. E dyta, shqiptarët që jetojnë jashtë nuk janë më shqiptarët që pastronin shtëpitë ose vilnin frutat e që mund t’i trajtonin si skllevër. Janë persona që sot i paguajnë buxhetit italian vlera mjaft të konsiderueshme. Janë thuajse 40 mijë biznese të krijuara nga shqiptarët. Dhe ne shqiptarët jemi si ju, italianët. Ju jeni shqiptarë të veshur me Versace dhe pikë! Lërini Rafaelon, Leonardon e të tjerët se nuk keni pikë lidhje me ta, për ta thëne deri në fund siç është, edhe pse keni mendimtarë të mëdhenj, intelektualë të mëdhenj.

Giorgio Mottola: Megjithatë, këtu thërrisni arkitektët italianë për të ndërtuar, si Boeri.

Edi Rama: Janë fantastikë, por po flas nga këndvështrimi.
Po nëse mendon për krenaritë e italianëve, mendon që Rafaelo ishte korsikan, megjithatë e lëmë. Atëherë, po ju thoja që, njësoj si ju, edhe ne jemi të lidhur me tokën, jemi të lidhur me rrënjët dhe shqiptarët që janë jashtë investojnë për të blerë banesa e kështu me radhë.