zoom

Lajme

Rama “shfryn” ndaj opozitës: Po helmojnë publikun të shfrenuar. Me SPAK-un i hymë detit me këmbë…

Ka nisur mbledhja e Grupit Parlamentar të PS, teksa në vend të kritikonte të tijët për skandalet qeveritare këto vite, kreu i të majtëve ka lëshuar lumë akuzash ndaj opozitës, teksa tha se po zbraz vrer nëpër foltore e penxhere.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se po bëhet një përpjekje ekstreme për të krijuar një hendek mes qeverisë dhe qytetarëve, me akuza të rreme e fabrikime djallëzore.

Kryeministri Edi Rama teksa bëri një rrugëtim të qeverisjes së tij dhe PS-së, theksoi se kjo forcë politike veçon nga partitë e tjera. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, Rama tha se nuk e kanë mundur dot korrupsionin, por janë në mes të një lufte të stërmundimshme.

Fjala e Ramës:

“Sot pasqyra është tjetër. Kush e mohon nuk di çfarë flet nga ligësia e padia. Nuk është qëllimi im sot të bëj dallimin mes nesh dhe atyre, sepse të dallim si dita me natën e bën me votë shumica absolute e njerëzve të zakonshem të këtij vendi. Dallimi duhet vetëm për të parë objektivit kontekstin e kohës ku po jetojmë dhe nevojën për reformim. PS është prej një dekadë e është në luftë për të bërë vendin tonë një vend të mirënjohur botërisht.

Asnjë forcë me peshë më parë që nga shkëputja nga perandoria otomane nuk i ka hyrë detit në këmbë për të pavarësuar drejtësinë nga pushteti. Vetëm falë kësaj lufte vendimtare për Shqipërinë që PS po bën prej 10 vjetësh nuk na e mohon dot askush. Pa PS nuk do të kishte rilindur besimi i shqiptarëve në drejtësi.

Nuk do shihnim rrëzimin e monumentit të pandëshkueshmërisë. Ka një të vërtetë të madhe në këtë mes, nuk e kemi mbajtur lëkurën tonë jashtë zjarrit të saj. I hapëm rrugë krijimit të një gryke zjari të re, si SPAK por ia hoqëm vetes me ndërgjegje e guxim, cdo mundësi kontrolli politik të shënjestrave e goditjeve të asaj gryke zjarri.

Le të thotë ç’të dojë kushdo që nuk do ta pranojë, por sot drejtësia vepron mbi pushtetin e politik, e pavarur, ndaj pushtetit. Ne i kemi hapur rrugë dhe furnizimit me municion të asaj gryke zjarri.

Kërkoj sot vëmendjen tuaj dhe përmes kësaj mbledhje të hapur të përbashkët të grupit parlamentar dhe kabinetit qeveritar. Dëshiroj edhe vëmendjen e atyre që na kanë votuar qysh prej 2013 kur morëm detyrën të Rilindim Shqipërinë e rrënuar nga duart e disave që klithin ditë e natë apo bërtasin të shfrenuar foltoreve dhe penxhereve të televizorëve. Bëhet një përpjekje ekstreme për të helmuar publikun e për të krijuar një hendek mes nesh e shumicës së shqiptarëve që na kanë besuar e mbështetur pa kursim në gjithë këto vite.

Sot nuk do ndalem te gjysmë të vërtetat që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha e as te akuzat e rreme dhe fabrikimet djallëzore. Sot do përqendrohem te të vërtetat, 10 vite pas marrje së detyrës. Qofshin të vërteta të ëmbla qoftë të hidhura, për të cilat nuk ka të na vijë mirë por duhet ti shohim në sy. Kur shqiptarët na votuan masivisht për mandatin e parë, Shqipëria ishte në ditët më të zeza që nga 1997. Krimi kishte fituar qetësi në veprimtari në një lojë sylla mbyllazi me rendin. Qytetarët jepnin rryshfet edhe për të marrë një certifikatë lindjeje”. /ZOOM.AL/