zoom

Lajme

Mes skandaleve qeveritare Rama mbledh sot Grupin e PS, urdhër të mos mungojë askush. Çfarë pritet

Kryeministri Edi Rama pritet të mbledhë sot në Kryesinë e Kuvendit, grupin parlamentar të Partisë Socialiste, pjesë e së cilës do të jetë ai vetë si edhe ministrat e kabinetit, teksa paralelisht zhvillohet edhe protesta e Aleancës Qytetare dhe Opozitës te Bashkia e Tiranës.

Mbledhja në fjalë do të nisë në orën 10:00. Nga kryeministri mësohet se është kërkuar që asnjë të mos mungojë, ndërsa mbledhja konsiderohet shumë e rëndësishme për zhvillimet e brendshme partiake qe lidhen me rienergjizimin e partisë.

Por duket se objekt diskutimi do jenë zhvillimet e fundit politike, situata e tensionuar, skandalet ekonomike dhe korruptive që kanë përfshirë qeverisjen socialiste dhe zgjedhjet e ardhshme.

Kjo mbledhje duket se ka edhe një rëndësi të veçantë edhe sa i përket zhvillimeve të politikës në tërësi, por edhe strategjisë për të fituar mandatin e katërt, teksa shumica e kryebashkiakëve të majtë po hetohen nga SPAK, janë arrestuar apo dënuar, sikurse edhe shumë drejtorë, shefa dhe deri te kabineti qeveritar.

Mësohet se 4 do të jenë dhe pikat ku do të fokusohet mbledhja e kryesocialistit Edi Rama me deputetët dhe ministrat e tij. Pika e parë ku do të mbështetet diskutimi është qeverisja dhe forcimi i saj, funksionimi i ligjit, apo dhe nisma e Re Kombëtare për Shqipërinë 2030-ës.

Kryeministrit Rama pritet të ketë mesazhe direkte për punën e ministrave, madje do të flasë edhe për kuadrin ligjor si dhe zbatimin e forcimin e tij. PS ka hyrë në një proces riorganizimi prej muajsh, një proces ky i rëndësishëm për këtë forcë politike.

PS kur bëhet fjalë për zgjedhje parlamentare e nis procesin e riorganizimit më herët, që përfshin dhe riorganizim në bazë, atje ku mblidhet vota. Në datat 10-11 qershor do të mbahet edhe Kongresi i PS, ku do të zgjidhen delegatët. /ZOOM.AL/