zoom

Bota

Rama plotëson kërkesën e Greqisë për vetëdeklarimin e etnisë?

Rama plotëson kërkesën e Greqisë për vetëdeklarimin e etnisë?

Kryeministri Edi Rama dha një intervistë për numrin e fundjavës për gazetën greke “Ta Nea”, ku ndër të tjera foli edhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe të drejtat e minoritetit grek në vendin tonë. Por ai preferoi t’a anashkalojë pyetjen e gazetares lidhur me kushtin që ka vendosur qeveria greke për të “respektuar të drejtën e vetëdeklarimit” të minoritetit grek gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë.

Pyetjes se sa progres është bërë në drejtim të plotësimit të këtij kushti që ka vendosur Greqia për procesin e anëtarësimit në BE, Rama iu përgjigj shkurt: “Kemi diskutuar me miqtë tanë grekë për këtë çështje”.

Por ai nuk preferoi të jap më shumë detaje rreth asaj se çfarë ka biseduar me palën greke dhe cila është zgjidhja që i ka dhënë qeveria shqiptare këtij shqetësimi. 

Në fakt përgjigja për këtë çështje gjendet pikërisht tek ligji “Për Censusin” i miratuar nga Kuvendi në 2020, vetëm një vit pasi kryeministri grek Qiriako Mitcotaqis do ta përcaktonte vetdeklarimin e etnisë si një nga dy kushtet e Greqisë për hapjen e negociatave të integrimit. 

Ne Nenin 4 të këtij ligji përcaktohet se pyetësori i censusit që do të nisë të realizohet vitin e ardhshsëm përmban edhe pyetje për identitetin etnik, gjuhën dhe fenë, përgjigjet e të cilave bazohen pikërisht në të drejtën e “vetidentifikimit” të individit. 

Ky përcaktim është përfshirë edhe në pyetësorin e përgatitur nga INSTAT dhe që do të plotësohet nga qytetarët vitin e ardhshëm, kur edhe do të nisë të zbatohet censusi i popullsisë, përfshi edhe ata në zonat ku ka një prani më të madhe të popullsive jo shqiptare. Kështu në modulin e pyetjeve individuale përfshihen edhe pyetjet për identitetin etnik, ku shtetasi mund të vetdeklaroi siç e mendon ai se cilit grup etnik i përket, gjuhën që flet apo edhe besimin fetar që praktikon. 

Në këtë modul sqarohet se togfjalëshi “Identiteti etnik: I referohet një kuptimi të përbashkët të origjinës historike dhe territoriale (rajonale, kombëtare) të një grupi etnik ose komuniteti si dhe karakteristikave të veçanta kulturore si: gjuha dhe/ose feja dhe/ose zakone specifike dhe mënyra e jetës”

Censusi i fundit që është realizuar në vendin tonë është ai i vitit 2011, gjatë të cilit, sa i përket përkatësisë etnike rezultoi se 82.6 për qind e popullsisë ishte deklaruar shqiptare, 0.87 për qind ishte deklaruar greke, 0.20 për qind maqedonase dhe 0.10 për qind malazeze. Ndërkohë që afro 13 për qind e të anketuarve nuk preferoi të deklarojë përkatësinë etnike. 

Por pavarësisht këtyre rezultateve dhe pavarësisht faktit se edhe atëherë qytetarët kishin mundësi të deklaronin të lirë përkatësinë e tyre etniko-kulturore, organizatat që mbrojnë të drejtat e minoritetit grek në vendin tonë, por edhe Athina zyrtare, nuk u pajtuan asnjëherë me këtë realitet, duke pretenduar se popullsia etnike greke në vendin tonë është më e madhe. 

Me siguri qe edhe kësaj here pretendimet nuk do të mungojnë, pavarësisht lëshimit që ka bërë qeveria shqiptare për të plotësuar këtë kërkesë të qeverisë greke, sa i përket sanksionimit të së drejtës së vetidentifikimit të etnisë në pyetësor.