zoom

Aktualitet

RAI 3: Këto janë kullat në Tiranë që dyshohet se po ndërtohen me paratë e drogës

Një temë e nxehtë e intervistës së kryeministrit Edi Rama me gazetarin italian të emisionit “Report” në RAI3 ka qenë edhe ajo e ndërtimeve të kullave në Tiranë, me dyshime të forta edhe për investime që vijnë nga paratë e krimit dhe kryesisht narkotrafikut.

Teksa gazetari prek temën dhe kujton se Tirana po transformohet me kulla, ku po investohen miliarda euro, por sipas raportimeve të bankave janë vetëm miliona, duke ngritur dyshimin se nga vijnë këto para, kryeministri i përgjigjet se janë të ardhura të regjistruara dhe pjesa më e madhe e tyre nga emigrantë dhe të huaj, duke përfshirë edhe shtetas italianë që blejnë në Shqipëri.

Më poshtë dialogu i plotë mes kryeministrit Edi Rama dhe gazetarit italian të Rai 3:

Rai3: Duke folur për fakte, Tirana është transformuar qëkur ju ishit kryetar bashkie e në vijimësi. Janë ndërtuar kulla shumë të larta fantastike. Si janë financuar këto kulla? Vitin e kaluar, në sektorin e pasurive të paluajtshme, ka pasur një investim me vlerë rreth 3,7 miliardë euro, por, pak a shumë, vetëm 800 milionë vinin nga bankat. Nga vijnë paratë me të cilat…

Kryeministri: Para së gjithash, edhe kjo nuk është e vërtetë. Këtu po ndërtojmë. Ka një numër kullash, por është vetëm fillimi. Pas pesë vjetësh, do të kemi shumë më tepër. Kemi angazhuar arkitektët më të mirë të botës. Ka gjashtë apo shtatë fitues të çmimit Pritzker, që punojnë me ne në Shqipëri. Dje isha në Lezhë, ku është vendi që kemi pritur afganët dhe ku do të jenë edhe qendrat dhe, vetëm vitin e kaluar, në Lezhë, iu shitën 500 pasuri të paluajtshme shtetasve të Bashkimit Europian, polakë, spanjollë, çekë, holandezë.

Rai3: Po, në Tiranë, 20 për qind e apartamenteve janë bosh.

Kryeministri: Kush e thotë?

Rai3: Të dhënat zyrtare.

Kryeministri : Jo, nuk është e vërtetë.

Rai3: Të dhënat nga konsumi i energjisë elektrike.

Kryeministri : Jo. Po ju them diçka
…

Rai3: Është nga operatori juaj elektrik.

Kryeministri: Prisni, se jeni ndotur së tepërmi nga burime informacioni, që janë të njëanshme dhe ndaj duhet të vendosim pak ekuilibër.

Rai3: Janë të dhëna objektive
.

Kryeministri: Atëherë, e para, ne kemi dalë nga lista gri e Moneyval-it, pikërisht sepse kemi një regjim shumë të fortë kundër pastrimit të parave nga ky këndvështrim. E dyta, shqiptarët që jetojnë jashtë nuk janë më shqiptarët që pastronin shtëpitë ose vilnin frutat e që mund t’i trajtonin si skllevër. Janë persona që sot i paguajnë buxhetit italian vlera mjaft të konsiderueshme. Janë thuajse 40 mijë biznese të krijuara nga shqiptarët. Dhe ne shqiptarët jemi si ju, italianët. Ju jeni shqiptarë të veshur me Versace dhe pikë! Lërini Rafaelon, Leonardon e të tjerët se nuk keni pikë lidhje me ta, për ta thëne deri në fund siç është, edhe pse keni mendimtarë të mëdhenj, intelektualë të mëdhenj.

Rai3: Megjithatë, këtu thërrisni arkitektët italianë për të ndërtuar, si Boeri.

Kryeministri: Janë fantastikë, por po flas nga këndvështrimi.
 Po nëse mendon për krenaritë e italianëve, mendon që Rafaelo ishte korsikan, megjithatë e lëmë. Atëherë, po ju thoja që, njësoj si ju, edhe ne jemi të lidhur me tokën, jemi të lidhur me rrënjët dhe shqiptarët që janë jashtë investojnë për të blerë banesa e kështu me radhë.

Rai3: Pra, janë dërgesat e emigrantëve.

Kryeministri: Ne kemi kryer një studim, pikërisht për të kuptuar që nuk gjendeshim përpara një flluske dhe doli që kërkesa për të blerë apartamente është shumë më e lartë sesa oferta edhe sot. Pastaj, janë italianët që blejnë në Shqipëri dhe Banka Qendrore e Shqipërisë ka botuar një të dhënë, sipas së cilës, investimet e huaja në Shqipëri janë rritur, kanë shënuar një rritje të menjëhershme falë investimeve të të huajve nga Bashkimi Europian, të cilët blejnë shtëpi ose zyra në Shqipëri. Dhe bëhet fjalë për qindra miliona, jo për një.

Rai3: Domethënë, edhe Kastrati i ndërton kullat me paratë e emigrantëve që kursejnë në Itali.

Kryeministri:  Nuk e di saktësisht se kush janë, pasi janë të dhëna të përziera, por ju duhet të kuptoni që, për çdo banesë që shitet në Shqipëri bëhet kontrolli i origjinës së parave. Domethënë,  ka marrë fund faza kalabreze, të themi, e Shqipërisë, kur bliheshin shtëpi në Tiranë me para në dorë dhe pastaj bëheshin bilance, bëheshin fatura që ishin gjysmë të vërteta.

Në Tiranën e rrokaqiejve, ku Rama ishte kryetar bashkie para se të bëhej kryeministër, për çdo tre kulla ka një nën hetim për korrupsion apo lidhje të dyshuara me trafikun e drogës.

60% e 3.7 miliardë eurove të investimeve në pasuri të paluajtshme në vitin 2023, shpjegon “Report” me ndihmën e gazetares Ola Xama nuk vjen nga sistemi bankar dhe për rrjedhojë nuk gjurmohet.

Në foto: Gazetarja Ola Xama

Teksa flitet me fakte, bazuar në të dhëna zyrtare mbi origjinën e parave të përdorura në sektorin e ndërtimit në kryeqytetet, RAI 3 hedh hije dyshimi veçanërisht mbi dy prej kullave të Tiranës.

Së pari ceket kulla e familjes Kastrati, “Downtown One”, ku nuk lihet pa u përmendur fakti se ata janë kompania koncesionare e aeroportit “Nënë Tereza”, si dhe përfitues të disa tenderave publike.

Pamje nga emisionin investigativ italian

Pamje nga emisionin investigativ italian

Një tjetër kullë e vendosur në fokusin e stafit investigues italian është kulla 24 katëshe e familjes Mata te ish-Ekspozita, “Ekspozita Building”, 93 metra e lartë.

Biznesmeni Luan Mata ndodhet nën hetim pasuror nga SPAK, pasi dyshohet se pastron paratë e kokainës të të birit Ervin Mata, duke i investuar në ndërtim në Tiranë.

*Shënim: Teksa flitet për futjen e parave të pista në ndërtim, planet e emisionit të RAI 3 shfaqen edhe të tjera kulla të kryeqytetit.


Më tej biseda kalon te deklarata e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj për takimet e Ramës në zyrë me bosë të krimit apo lidhur me ta për investimet, si dhe fenomenin e kanabizimit të Shqipërisë. Rama thotë se nuk flet për njerëz që kanë punë me drejtësinë.

Në intervistë preket edhe tema e investitorit italian Francesco Beccheti dhe faturën mbi 100 mln euro që qeveria shqiptare duhet t’i paguajë sipas Arbitrazhit, kryeministri shprehet se beteja ligjore nuk ka mbaruar ende dhe se italiani ishte i dënuar me 17 vite burgim./ Zoom.al