zoom

Aktualitet

Qiellgërvishtësja e re tek kompleksi “Dajti”. 55 mijë m2 të fushave sportive do të zihen nga kulla

Pamjet e një kulle të re në kryeqytet kanë rindezur debatin e zakonshëm për betonizimin dhe modelin e gabuar ekonomik të Tiranës.

“Hora Vertikale” është kulla që u miratua nga kryeministri Edi Rama në tetor të 2023-shit. Me një sipërfaqe 55 mijë m2 dhe 140 m e lartë, kulla do të ndërtohet në një nga fushat sportive të universitetit të Sporteve, në kompleksin Dajti.

Arkitektja Doriana Musai shprehet për Citizens Channel se ky është një model i gabuar zhvillim i cili po bëhet në kundërshtim me PPV-në që vet institucionet kanë miratuar.

“Kur PPV-ja thotë ndalohet ndërtimi mbi 9 kate dhe aty mbin një kullë 41 katëshe kjo është shkelje, por institucionet e lexojnë dhe i referohen PPV-së vetëm kur kanë interesa, si në rastin e 5 Majit”, shprehet Musai.

Sa i përket modelit të zhvillimit të kullave ajo sqaron se është një model që nuk është parë në vende të tjera të zhvilluara që kanë një praktikë të mirë.

“Kjo pasi zakonisht ndërtesa të tilla të larta ndërtohet në një lagje të dedikuar, zakonisht jashtë qytetit dhe jo të shpërndara si kërpudha sikurse po ndodh në Tiranë”, thotë Musai duke shtuar se kjo mënyrë është në kundërshtim më interesin publik.

Pamja e kullës, e projektuar sipas arkitektëve portugezë është larg atyre që jemi mësuar të shohim në kryeqytet. Sipas fotove ajo i përngjan lojës Tetris që konsiston në vendosjen rastësore të kubeve formuese./Zoom.al