zoom

Bota

Qeveria portugeze në skandal korrupsioni, dorëhiqet kryeministri. I arrestohen tre vartësit

Tronditet qeveria portugeze, e përfshirë në skandal korrupsioni. Kryeministri portugez Antonio Costa ka dhënë dorëheqjen, disa orë pasi policia bastisi rezidencën e tij zyrtare si pjesë e një hetimi korrupsioni. Më herët, gjatë një bastisjeje të policisë në rezidencën zyrtare të kryeministrit, shefi i kabinetit të tij u arrestua, tha prokurori i përgjithshëm i Portugalisë. Vetë Antonio Costa ka rënë në përgjimet e autoriteteve, sipas prokurorisë portugeze.

Sipas Politico, kontrollet e policisë në rezidencën e kryeministrit dhe ministritë e Mjedisit dhe Infrastrukturës po vazhdojnë. Përveç shefit të shtabit, policia arrestoi edhe këshilltarin personal të Kostës, Diogo Lacerda, i konsideruar si një nga të besuarit e tij dhe kryebashkiakun socialist të Sines, Nuno Mascarenia. Ministri i Infrastrukturës João Galamba gjithashtu konsiderohet i dyshuar në këtë rast. Diogo Lacerda, i cili u arrestua, ka vënë bast të madh, sipas Politico, për një sistem të gjelbër të prodhimit të hidrogjenit në portin e Sines, i cili është porti më i madh artificial në Portugali, një projekt i financuar me miliarda euro nga BE.

Operacionet policore vijnë si pjesë e një hetimi për ryshfet dhe korrupsion të dyshuar në kontratat e lidhura me hidrogjenin e gjelbër dhe minierat e litiumit, një metal i përdorur për prodhimin e baterive dhe thelbësor për tranzicionin e energjisë. Hetimet, në të cilat marrin pjesë rreth 140 hetues, përfshijnë edhe Ministrinë e Mjedisit dhe Infrastrukturës, sipas gazetës Publico. Costa, nga Partia Socialiste, është kryeministër i Portugalisë që nga viti 2015. /ZOOM.AL/