Aplikacion
Nëse nuk do të ishte raportuar nga mediat si lajm kryesor, për politikën ka gjasë të kishte kaluar edhe më me pak zhurmë se një aksident rrugor me vdekje për përdorim alkooli nga shoferi, ku nën akuzë mund të ishte vënë policia që nuk kryen kontrollet e nevojshme.
Për inceneratorët, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, gjeti vetëm pak fjalë në shkallët e selisë së Partisë Demokratike, ku në fakt doli për të folur më shumë për problemet e brendshme të partisë, pas një takimi me disa ambasadorë.
Kryeministri Edi Rama vijoi axhendën në takimet e tij me popullin, përmes të cilëve tenton t’i bindë votuesit e tij se ata janë pjesë e bashkëqeverisjes edhe pse vendimmarrja e vetme në të cilën ftohen të marrin pjesë janë zgjedhjet periodike, lokale apo qëndrore, edhe ajo një vendimmarrje e diskutueshme sipas raporteve të fundit të OSBE/ODIHR.
Sot vetëm disa media e nisën ditën me skandalin e inceneratorëve edhe pse kjo aferë u kushton shqiptarëve 700 milionë euro, aq sa për të ndërtuar për së dyti “Rrugën e Kombit” apo për të mbyllur çdo rrugë, port apo aeroport që ka në 3D qeveria “Rama 3”.
Edhe pse rezulton si një një ndër vjedhjet më të mëdha në historinë e Shqipërisë postkomuniste, siç duken gjasat, kjo aferë do të arkivohet si një ngjarje e zakonshme.
Opozita, nëse nuk është edhe vetë pjesë e ndonjë plani për ta mbyllur aferën, siç ka raportuar më parë Zoom.al, (lexoni KËTU shkrimin mbi Komisionin Hetimor) duhet të kishte dalë në rrugë për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë, e cila, në këtë aferë duket e përfshirë totalisht, pasi ka firmosur 17 vendime në 1 ditë të vetme për koncesionin e inceneratorit të Elbasanit.
Lefter Koka, ministër i qeverisë “Rama 2”, sipas SPAK, kishte përfituar 3.6 milionë euro, disa herë më shumë se 700 mijë eurot e bllokut të Ilir Metës, për të cilën opozita e Edi Ramës zbriti në shesh e u përplas në dyert e qeverisë në një nga protestat më të dhunshme që kishte parë vendi ndonjëherë, që la 4 të vdekur e shkatërrime të pronës private e publike.
Por opozita pa nerv e pa aksion e Lulzim Bashës e kompromentoi edhe më shumë veten, duke i shtuar dyshimet që kanë mbjellë kritikë e kundështarë, se ajo është shndërruar në fasadë të pushtetit.
Sa për qeverinë, ajo nuk ka shans të largohet për asnjë motiv ligjor e moral me vullnetin e saj. Ajo nuk ra kur ministri i Brendshëm “më i suksesshëm” i saj u dërgua përpara drejtësisë për trafik droge, nuk ra kur u zbulua se pasuesi i tij kishte ndryshuar ligjet e reformës në drejtësi për të shpëtuar vëllain trafikant droge të dënuar në Itali, nuk ra as kur i treti ministër i ulur në atë karrige dha dorëheqjen pasi një efektiv policie vrau një djalë të ri dhe policia i vuri viktimës një pistoletë afër për t’ia shitur publikut si kriminel, nuk ra kur Shqipëria lulëzoi anembanë nga kanabisi, as kur u zbulua se një 26 –vjeçari i ishte dhënë një PPP 18 milionë euro për nënkalimin e sheshit Shqiponja me letra të falsifikuara, as kur përgjimet e publikuara në BILD treguan si bliheshin votat përmes parave dhe presioneve të pushtetit e bandave kriminale.
Kjo qeveri nuk ra as kur një radhë deputetësh e kryebashkiakësh të saj dhanë dorëheqjen për shkak të krimeve të rënda të kryera nëpër Europë e nuk ka ndërmend ta bëjë as kur SPAK të trokasë me mandatin e arrestit në dyert e disa ministrave, kryebashkiakëve e zyrtarëve në majat më të larta të saj.
Një aferë kaq e madhe korruptive, e faktuar nga një prokurori speciale që është ngritur dhe financuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të kishte tundur nga themelet edhe qeveritë më autoritariste të botës, do të kishte ngritur në këmbë edhe opozitën më të përgjumur të planetit.
Por qeveria shqiptare ka përballë opozitën dhe popullin që do të kishte zilepsur edhe pushtetin komunist të Kinës, ashtu siç opozita ka në krah qeverinë e ëndrrave, e cila, siç flitet në korridoret e politikës, i paguan edhe faturat e shpenzimeve elektorale, apo i çon policinë për ta mbrojtur nga militantët e saj të zemëruar nga përgjumja letargjike që po i lë 12 vjet në opozitë.
Kjo qeveri dhe kjo opozitë nuk janë pefekte vetëm për njëra – tjetrën, por edhe të korruptuarit e kriminelët në Shqipëri, aktivitetet e të cilëve lulëzojnë në çdo formë, pa u hyrë gjëmb në këmbë, madje siç rezulton nga arrestimi i Lefter Kokës, janë bashkë në të njëjtin front kur bëhet fjalë për të vjedhur paratë e taksapaguesve shqiptarë, me qeverinë e përlyer deri në grykë dhe opozitën që sillet çuditshëm përballë një skandali të tillë. /Zoom.al