zoom

Aktualitet

Pyetjet që opozita duhet të bëjë për portin e Durrësit pas shfaqjes së kompanisë së dytë fantazmë

Kuvendi i Shqipërisë do të mbajë të enjten një interpelancë me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku të thirrur nga deputeti i Partisë Demokratike Ferdinant Xhaferaj. Objekt i saj është projekti i ndërtimit të portit turistik të Durrësit.


Në kërkesën e tij që mban datën 17 janar, Xhaferraj thekson se kryeministri Edi Rama më 16 prill të vitit të shkuar, gjatë fushatës elektorale është shprehur se “porti i Durrësit do të jetë një ndër më të mëdhenjtë në Mesdhe dhe do të ndërtohet nga kompania “Emmar Group”, me një vlerë investimi 2 miliardë euro dhe që do të realizohet brenda një periudhe 4-5 vjeçare”.


Por, thotë Xhaferraj në kërkesën e vet, megjithëse kanë kaluar 8 muaj nga ky prezantim, punimet nuk kanë filluar, ndërkohë që në media, një prej tyre është edhe Zoom.al, kanë qarkulluar disa artikuj sipas të cilëve kompania “Emmar Group” nuk ka asnjë lidhje me këtë projekt, por është përdorur si një kamuflim i një kompanie off-shore, të regjistruar në parajsa fiskale, pronarët e vërtetë të së cilës mbeten të dyshimtë.


Nga ana tjetër thekson deputeti demokrat ka disa pikëpyetje që ngrihen mbi mënyrën si është përzgjedhur kjo kompani: kush e ka realizuar projektin e prezantuar, cilat do të jenë burimet e financimi të këtij projekti dhe nëse procedurat e ndjekura janë në përputhshmëri me legjislacionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar, veçanërisht me detyrimet që burojnë nga integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Në kushtet e mungesës së transparencës lidhur me të gjitha fazat e këtij projekti, në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, i zgjedhur në Qarkun e Durrësit, kërkoj zhvillimin e një interpelance me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku për të dhënë shpjegime dhe informacion lidhur me këtë projekt”, thotë Xhaferraj në kërkesën e vet.


Por siç edhe vërehet lehtë, kërkesa e Xhaferrajt ka dalë pak jashtë kohe, kjo pasi që nga depozitimi i saj në Kuvend e deri më sot lidhur me këtë projekt ka pasur zhvillime të tjera. Më e fundit është ajo e publikuar në media se edhe kompania off-shore e Alabbar i ka shitur aksionet te një tjetër kompani fantazmë, e regjistruar po ashtu në off-shore, duke rritur edhe më tej misterin për këtë projekt.


Ndaj në dritën e fakteve të reja, përtej merakut të Partisë Demokratike mbi përputhshmërinë e procedurave me detyrimet që burojnë nga integrimi në Bashkimin Europian, lindin një sërë pyetjesh që kërkojnë patjetër përgjigje nga autoritetet shtetërore dhe në mënyrë të veçantë nga ministrja Balluku si drejtuese e institucionit që mbulon infrastrukturën portale në vendin tonë.

1. Pyetja e parë që lind natyrishëm është se cila është kompania off-shore e investitorit Mohamed Alabbar dhe pse qeveria shqiptare vendosi të hyjë në një marrëdhënie bashkëpunimi me një kompani të tillë fantazim?
Vetë ministrja Balluku gjatë konferencës së sotme, duke iu referuar pikërisht kësaj kompanie, bëri të ditur se ajo ka marrë edhe “statusin e investitorit nga AIDA”, duke theksuar se është kjo e fundit që duhet të përgjigjet për garancitë që ofron një kompani e tillë.
2. Pyetja e dytë që lind pas zhvillimeve të fundit është cila është kompania tjetër off-shore që ka blerë aksionet nga kompania fantazmë e Alabbar dhe cilët janë realisht pronarët e saj?
Shqipëria ka një përvojë të keqe nga kompanitë off-shore që kanë dashur të investojnë apo të kryejnë biznes në vendin tonë. Kujtojmë këtu rastin e kompanisë off-shore “IRTC” prapa së cilës fshihej Rezart Taçi, e cila bleu rafinerinë e naftës në Ballsh dhe e braktisi atë në 2017 duke lënë pas një mal të madh me borxhe ndaj shtetit shqiptar, e punonjës të papaguar.
Rasti tjetër edhe më i rëndë ishte ai i “DH Albania”, kompani bijë e një kompanie off-shore të regjistruar në parajsë fiskale, e cila arriti të marrë nga shteti shqiptarë 20 milionë euro për një segment të Unazës së Madhe.
3. Një tjetër pyetje që opozita duhet ti drejtojë nesër në interpelancë ministres Balluku është edhe ajo se cila është eksperienca e kësaj kompanie dhe a ka zbatuar ajo projekte të mëparshme të ngjashme?
Legjislacioni shqiptar përcakton që një firma apo kompani nuk mund të fitojë asnjë tender nëse ajo nuk ka pasur më parë një eksperiencë apo aktivitet të ngjashëm, pavarësisht nga madhësia apo rëndësia e prokurimit. Ndaj në një projekt të tillë kaq të madh natyrshëm që shteti shqiptar duhet të kërkojë informacion edhe në këtë drejtim.
4. Gjithashtu një tjetër pyetje që buron po ashtu nga kërkesat e ligjit shqiptar të prokurimeve është edhe ajo se cilat janë mjetet që zotëron kjo kompani për të realizuar një projekt të tillë dhe sa forca pune ka?
Kujtojmë këtu se SPAK para disa muajsh vuri në pranga kryebashkiakun e Lushnjes dhe disa biznesmenë lokal se gjatë një tenderi kishin mashtruar me mjetet dhe punëtorët me të cilët ishin futur në një tender. Pra porsa kohë një kërkesë e tillë është e detyrueshme edhe për një tender kanali kullues, detyrimisht duhet të jetë edhe për një kompani që do të realizojë një projekt kaq madhor.
5. Një tjetër pyetje që kërkon përgjigje nga interpelanca e nesërme është edhe ajo sepse qeveria shqiptare nuk vendosi që për këtë projekt të hapte një garë ndërkombëtare dhe për të parë ofertat më të mira dhe më të besueshme?
Një praktikë kjo që nuk është e panjohur për historinë e vonë të shtetit shqiptar, pasi më së fundi gara ndërkombëtare ka pasur edhe për projektin e Kuvendit, atë të Teatrit apo edhe ajo për aeroportin e Vlorës.
Nisur pikërisht nga dyshimet që lindin nga i gjithë misteri që mbulon këtë projekt, natyrshëm lind pyetja se cila është garancia që ka qeveria shqiptare për ti dhënë një kompanie fantazim një projekt të tillë kaq madhor dhe me rëndësi për vendin tonë?
6. Gjithashtu ministrja Balluku duhet të japë shpjegime edhe për pyetjen nëse ka një studim fizibiliteti për zbatimin e këtij projekti dhe cila është kostoja që do të duhet të paguajë qeveria shqiptare për transferimin e portit industrial në periferi të Durrësit?
7. Opozita duhet ti kërkojë llogari gjatë interpelancës së nesërme Ballukut edhe pse shteti shqiptar është i gatshëm që t’i dhurojë kësaj kompanie fantazmë 850 mijë metra katrorë tokë në bregdet?

8. Gjithashtu opozita duhet ta pyesë Ballukun edhe se si do hyjë shteti shqiptar në këtë marrëdhenie dhe me çfarë përqindje përfaqësimi?

9. Një tjetër pyetje që Xhaferraj mund ti shtrojë ministres lidhur me të njëjtën temë është se përse qeveria nuk e jep me përqindje si tregu?

10. Po ashtu Balluku duhet të përgjigjet nëse e ka detyrim kompania të bëjë edhe portin e jahteve dhe nëse po, çfarë garancie ka që do e bëjë këtë gjë?

11. Ministrja e Infrastrukturës mbi të gjitha duhet ti përgjigjet edhe pyetjes se a ka biznesmenë apo persona shqiptarë që gjenden pas kompanisë off-shore që kërkon të ndërtojë këtë port?
Me këtë rast ministrja Balluku, nëse nuk është e vërtetë duhet të hedhë poshtë edhe akuzat e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili të dielën e shkuar deklaroi se përfitues të këtij projekti janë kryeministri Edi Rama dhe kryetari I Partisë Demokratike, Lulzim Basha./Zoom.al