zoom

Blog

Putin e ndryshoi botën, por jo ashtu siç e donte ai

Agresioni i Vladimir Putinit në Ukrainë e ndryshoi botën. Tani jetojmë në një epokë të re dhe më të rrezikshme: epokën post Luftës së Ftohtë që filloi me rënien e Murit të Berlinit.

Për brezin aktual është e vështirë që ta kuptojnë se po jetojnë në një moment historik, aq më tepër që të kuptojnë në kohë reale pasojat reale të këtij momenti. Në nëntor 1989, protestat e nisura në Pragë, në atë kohë kryeqyteti i vendit që njihej si Çekosllovaki, ishin sinjali i lindjes së një bote të re.

Popujt e lindjes po ngriheshin e sfidonin diktaturat njëri pas tjetrit. Muri i Berlinit ishte shembur dhe Europa e përçarë po bashkohej sërish.

Në pragë, disidenti Vaclav Havel i adresohej nga një ballkon në katin e dytë një turme prej thuajse gjysmë milioni njerëzish. Ishte një moment historik. Atë mbrëmje, regjimi komunist ra dhe brenda javësh, Havel u zgjodh President i shtetit të ri demokratik.

Të pranishmit e dëshmitarët e këtyre ngjarjeve me dhe pa vetëdije u bënë protagonistë të një ndryshimi madhor dhe historik.

Sa momente të tilla kanë shkundur e farkëtuar historinë e Europës, që prej Revolucionit Francez të fundshekullit të 18-të? Ndoshta pesë dhe shembja e perdes komuniste të lindjes ishte e gjashta.

Megjithatë, bota e lindur përmes atyre revolucioneve dramatike popullore u vra shpejt. Atë e vrau Vladimir Putin me urdhrin për të pushtuar Ukrainën më 24 shkurt.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz me të drejtë që quajti një moment “zeitenëende”, përkthyer në shqip një “moment pikë kthese”, ndërsa Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss e cilësoi një ‘moment që vrau epokën e bashkëpunimit’.

Quentin Sommerville, një prej reporterëve të luftës më me përvojë të BBC-së, duke ecur së fundmi mes rrënojave në Kharkiv tha se bombardimet ruse të qytetit nuk kanë pse habisin asnjë. “Nëse këto taktika janë të huaja për ju, atëherë nuk keni qenë fort të vëmendshëm”.

Sommerville kaloi shumë kohë në Siri nën raketat e bombardimet ruse dhe atje duhet të jetë treguar i vëmendshëm për taktikat e shkujdesura ruse në konflikte. Po qeveritë e botës demokratike, sa të vëmendshme ishin për natyrën e regjimit të Putinit?

Provat janë mbledhur ndër vite. Dy dekada kanë kaluar që kur ai dërgoi trupat në Gjeorgji, me pretendimin se po mbronte e mbështeste rajonet proruse të vendit. Më vonë dërgoi spiunët në shtetet e qytetet perëndimore të armatosur me armë helmuese, për të vrarë rusët në ekzil. Në 2014-n, ai pushtoi Ukrainën Lindore dhe aneksoi Krimenë.

Pavarësisht të gjitha këtyre, Gjermania dhe pjesa më e madhe e Bashkimit Europian thelluan varësinë toksike ndaj gazit rus. Një vit pas aneksimit të Krimesë, u miratua ndërtimi i gazsjellësit të ri, Nord Stream 2, që do të rriste furnizimin.

Londra ka qenë ndër vite një parajsë për paratë ruse, të paktën që prej kohës kur Kryeministër ishte John Major. Oligarkët rusë parkuan miliarda euro në kryeqytetin britanik, pastruan paratë e tyre, blenë pronat e shtëpitë më të famshme të kryeqytetit, u afruan me politikanët dhe financuan fushatat e tyre. Pakkush ngriti pyetjet se nga vinte gjithë ky luks dhe me kaq shpejtësi.

Të gjitha këto tregojnë që jo, perëndimi nuk ishte i vëmendshëm për të kuptuar natyrën e kërcënimit që po kultivohej në lindje të tij, ndërsa Putin avanconte me planin e tij.

Së pari, ai besonte se Perëndimi ishte në një rënie kronike, i dobësuar nga përcarjet e brendshme dhe përplasjet ideologjike. Zgjedhja e Donald Trump në 2016-n dhe Brexit u panë si provë për këtë. Ngritja e qeverive autoritare të së djathtës në Poloni dhe Hungari u lexua nga Putin si një tjetër provë e shkërmoqjes së vlerave liberale. Tërheqja ‘turpëruese’ e SHBA nga Afganistani u pa gjithashtu si provë e zbehjes së fuqisë, madje edhe si tërheqje e Uashingtonit nga arena globale.

Së dyti, ai nuk e lexoi siç duhet se çfarë po ndodhte në kufijtë e tij. Ai refuzoi të besojë që protestat në ish-republikat sovjetike (Gjeorgji – 2003, Kirgizistan – 2005) ishin vullnet popullor, sepse në të gjitha rastet protestat nxiteshin kundër qeverive të korruptuara proruse. Për Putinin, këto ishin protesta të organizuara nga agjencitë perëndimore të inteligjencës, sidomos të amerikanëve dhe britanikëve për të avancuar me ‘imperializimin e tyre’ në territore që historikisht ishin ruse.

Së treti, Putin nuk kuptoi dot as fuqinë e vet ushtarake. Është e qartë sot që ai priste që ‘operacioni special’ të përmbyllej brenda pak ditëve. Paaftësia ushtarake e Rusisë në Ukrainë ka habitur mjaft ekspertë perëndimore të sigurisë. Në fakt, agresoni rus mbi Ukrainën është një ‘dejavu’ e agresonit serb ndaj Bosnjes.

Në vitin 1992, nacionalistët serbë nisën luftën për të mbytur që në lindje shtetin e ri të Bosnjes. Ata thanë se nuk kishte një identitet ‘boshnjak’ dhe që i gjithë territori ishte pjesë e Serbisë. Ky është i njëjti këndvështrim i Putinit për Ukrainën.

Ashtu si Rusia sot, edhe Serbia në atë kohë gëzonte një superioritet dërrmues në armatim. Por, ofensiva ngeci kur hasi në rezistencën e boshnjakëve nëpër qytete. Edhe pse të keqarmatosur, madje me një armë për tre vetë, ata arritën që të mbrojnë Sarajevën për më shumë se katër vite. Kjo duket se po përsëritet edhe në Kiev.

Pra, në vend që të pushtonin qytetet, serbët i rrethuan, i bombarduan nga distanca, u prenë ujin, gazin dhe energjinë elektrike. Kjo po ndodh nga rusët në Mariupol. T’i ndërpresësh ujin një qyteti, brenda 24 orëve e shndërron çdo tualet publik në një vatër infeksionesh. Qytetarët duhet të dalin në rrugë për të gjetur ujë. Ndërpriti qytetit energjinë dhe ata do të ngrijnë së ftohti në shtëpitë e tyre. Shpejt mbarojnë ushqimet, prandaj a është kjo taktika ruse në Kiev, në Mariupol, në Kharkiv? T’i vdesë urie deri në nënshtrim?

Por, për thuajse katër vite, mizoritë serbe i dhanë Bosnjes narrativën e rezistencës dhe forcuan edhe më tej identitetin e shtetit të ri. Edhe këto javët e para të luftës në Ukrainë kanë prodhuar të njëjtën gjë. Ukrainasit po luftojnë dhe ç’është më e keqja për Rusinë, as vetë rusët e Ukrainës nuk ndjejnë se janë çliruar nga pushtimi rus. Edhe ata vetë besojnë se Ukraina duhet të jetë një shtet sovran.

Prandaj, lufta e Putinit për të ribashkuar dy pjesë të ‘kombit rus’ po jep që tani efektin e kundërt, duke forcuar vullnetin e guximin e ukrainasve për një vend jashtë influencës dhe dominimit rus dhe duke shtuar radhët e atyre që besojnë se Ukrainë duhet të anëtarësohet me patjetër në NATO.

Ky është bilanci i deritanishëm i luftës së Vladimir Putinit në Ukrainë, e nisur me synim shmangien e NATO-s në kufi dhe me gjasa do të mbyllet duke e forcuar NATO-n pranë kufijve të vet. Ky është bilanci i përpjekjeve 30-vjeçare të Rusisë, e cila nga ideja e një aleance mes vendeve të Europës Lindore, që do të shërbenin si ‘amortizuese’ në përplasjen e Kremlinit me Perëndimin, tani po merr Perëndimin në derën e vet.