zoom

Politikë

Punësimet e Felajt “ndezin” Kuvendin, Berisha: Turp! E ktheve prokurorinë në strofull familjare

Një pjesë e mirë e diskutimeve të deritanishme gjatë seancës plenare është përqendruar te punësimet e nënkryetares së Kuvendit, Ermonela Felaj, familjarët e së cilës kanë “zaptuar” Prokurorinë e Tiranës.

Pas deputetëve demokratë, edhe ish-kryeministri Sali Berisha reagoi për këtë çështje, duke e konsideruar të paligjshëm punësimin e tyre dhe duke akuzuar socialistët se po mbulojnë aferat e tyre.

“Keni kufizuar orën e debatit. Keni frikë nga tmerret tuaja, aferat elektorale dhe korruptive. Jeni skllevër të veprave tuaja kriminale. E shndërrove prokurorinë e Tiranës në strofull familjare. Turp! Ermonela Felaj, një simbol i nxirë i kapjes së drejtësisë, i nepotizmit, njeriu i vetëm në Europë dhe në botë që ka në institucion në Prokurorinë e kryeqytetit 4 familjarë po kryeson debatin për organin e drejtësisë. Nuk ka tallje më të madhe, nuk ka cinizëm më ekstrem. Nga ana tjetër, duhet të informoj shqiptarët se është bërë gjithçka në kundërshti me nenin e rregullores dhe çdo praktikë që të gjitha institucionet e drejtësisë, këtij sistemi që shënon dështimin më të madh, këtij sistemi që nuk iu ofron më drejtësi shqiptarëve, këtij sistemi i cili për shkak të gjahut të shtrigave, për shkak të vetingut mbi kritere politike fetare dhe krahinore, jo u përgjysmua, por u shkatërrua, u devastua plotësisht”, deklaroi Sali Berisha.