zoom

Të gjitha

Publikohet traileri zyrtar i komedisë “Marry Me”

Është publikuar traileri zyrtar i komedisë së re romantike, “Marry Me”, ku vijnë në rolet kryesore aktorët Jennifer Lopez, Owen Wilson dhe pop ylli kolumbian, Maluma. Me regji të Kat Coiro, filmi vjen i bazuar në një roman grafik me të njëjtin emër të autorit, Bobby Crosby dhe pritet të jetë i mbushur me këngë origjinale të krijuara nga Lopez dhe Maluma.

JLo portretizon rolin e superyllit muzikor të quajtur Kat Lopez, e cila merr vendimin më të çmendur në jetën e saj kur pranon të martohet me një mësues të matematikës, Charlie Gilbert, në takimin e tyre të parë.

E shkatërruar dhe e turpëruar nga tradhëtia që i fejuari i saj i bën në natën e parë të martesës, e cila ishte planifikuar të transmetohej live, Kat vendos të pranojë propozimin për martesë nga një shikues në publik, i cili në film portretizohet nga Owen Wilson. Por, gjërat nuk janë ashtu siç duken dhe çiftin e ri e presin shumë sfida dhe momente qesharake.

Papritur mes Kat dhe Charlie lind një romancë e bukur dhe tani ata duhet ta bëjnë të pamundurën që të mos i lënë personat e tjerë që t’i ndajnë ata. Por lind pyetja  a do të mund t’i mbijetojnë ata këtij presioni dhe faktit se ata vijnë nga botë krejtësisht të ndryshme? Filmi “Marry Me” lançohet nëpër kinematë botërore nga 11 Shkurti i vitit të ardhshëm.