zoom

Ekonomi

Pse qeveria nuk flet për Eurobondin dhe dyshimet e investitorëve tek shifrat zyrtare të Shqipërisë

Qeveria shqiptare pak ditë më parë emetoi në tregjet ndërkombëtare Eurobondin e gjashtë, me një vlerë 600 mln euro dhe me shumë ndryshime nga ato të mëparshmit. Ministria e Financave është munduar shumë që emetimi i këtij borxhi të mos bëhet publik. Fillimisht, pyetur nga gazetarët, ministrja Delina Ibrahimaj nuk dha asnjë detaj për procesin, por paralajmëroi një konferencë që nuk u bë kurrë.  E pyetur për së dyti Ibrahimaj tha vetëm: “interesi nga investitorët ka qenë i lartë”.

Ishte Bursa e Londrës ajo që na njoftoi për një zhvillim kaq të rëndësishëm në financat e shtetit shqiptar.

Eurobondi më i shtrenjtë në një dekadë

Eurobondi 600 milion eurosh do të emetohet me një kupon 5.9% dhe yield mesatar 6.13%. Hera e fundit që një i tillë ka qenë mbi këto nivele ishte viti 2010, pak kohë pas krizës financiare botërore të 2008-s. Kjo do të thotë, që kur qeveria të paguajë ata që do të blenë këtë borxh, do të humbasë miliona të tjera, pikërisht nga norma e interesit. Borxhi i ri maturohet më 9 qershor të vitit 2028, pra pas 5 vitesh dhe interesi do të paguhet çdo vit më datën 9 qershor.

Norma  e lartë e Eurobondit nuk është faji i qeverisë, sigurisht lidhet me normën e lartë të interesit të bankave qendrore që ndikon drejtëpërdrejtë tek interesat (yield-et) e titujve të borxhit, si Bono Thesari, Obligacione dhe Eurobond. Por faji i qeverisë është  tek dalja në tregjet e jashtme në një periudhë kaq delikate, thënë kjo nga ekspertët ndërkombëtarë.

Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, që në dhjetor 2022, lajmëruan Shqipërinë të mos emetojë Eurobondin përgjatë vitit 2023, pikërisht për shkak të normave të larta sepse do të kërcënonte stabilitetin financiar të vendit. Rekomandimi tjetër i autoriteteve ndërkombëtare ishte i mosnxjerrjes së Eurobondit me afat të shkurtër, ashtu siç ka bërë Shqipëria. Norma e lartë e kthimit dhe afat i shkurtër maturimi ushtron presion mbi financat e Shqipërisë, pasi për pak kohë duhet të nxjerrë nga buxheti miliona euro.

Investitorët ndërkombëtarë nuk besojnë tek statistikat zyrtare të Shqipërisë

Është kjo një ndër pikat kryesore të qarkores së Eurobondit, një dokument prej 200 faqesh, ku listohen risqet e tregjeve në Shqipëri, për t’i ofruar investitorëve të interesuar një panoramë të qartë nëse vendosin të blenë borxhin shqiptar. Qarkorja e punuar nga Bursa e Londrës, i tregon të interesuarëve se statistikat publike të Shqipërisë janë jo të sakta, të kufizura, jo të besueshme dhe jo me frekuencën e duhur të publikimeve dhe përditësimeve, sidomos krahasuar me vendet e tjera, përfshirë ato të Bashkimit Europian

Për këtë arsye, në qarkore këshillohen investitorët që statistikat që janë pjesë e raportit t`i marrin me rezerva dhe po ashtu riskun që buron nga pasaktësia e tyre. Asnjë prej statistikave në raport nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur, thuhet më tej. Edhe për vetë llogaritë e Prodhimit të brendshëm Bruto ka pikëpyetje, ndërkohë që si një ndër arsyet e kësaj situate, pra të statistikave publike të pasakta dhe jo shumë të besueshme vlerësohet edhe koordinimi mes vetë institucioneve shqiptare.

Rreziqet e blerjes së borxhit shqiptar

Në të njëjtin dokument, investitorët e huaj paralajmërohen se Shqipëria është ndër ato vende me më shumë rreziqe se sa përfitime, duke hedhur poshtë konstatimin e ministres Ibrahimaj, se për këtë Eurobond ka patur interes të lartë, sidomos kur mungojnë të dhënat.

Fillimisht përmendet inflacioni si faktor që nëse zgjat më shumë, mund të shkaktojë stanjacion ekonomik.

Demografia është një tjetër pikë ku Shqipëria vlerësohet si e rrezikuar, për shkak të emigracionit të lartë, kryesisht të profesionistëve si dhe të plakjes. Këto dy fenomene mund të dëmtojnë skemën e pensioneve dhe defiçitin e skemës, thuhet në raport.

Në raport përmendet si problem edhe varësia e vendit tonë nga kushtet atmosferike për prodhimin e energjisë, në një kohë që një përkeqësim i tyre mund të rëndojë prodhimin energjetik e për rrjedhojë edhe financat e vendit. E njëjta gjë vlen për risqet që burojnë nga fatkeqësitë natyrore, pasi evenimente të tilla padiskutim që mund të sjellin pasoja afat-gjata në financat publike.

Situata financiare e Shqiprisë dhe të gjithë Europës është ndoshta në momentin më të pasigurtë të saj, përballë zhvillimeve dhe krizave të papërjetuara më herët. Por gjithsesi qeveria zgjodhi të përballet përveç se me kritikat, me rrezikun real të normave të interesit dhe (si zakonisht) kundërshtoi ekspertët ndërkombëtarë. Një vendim i tillë tregon se qeveria ka nevojë për para dhe likuiditet dhe askush përveç të huajve nuk do të mund të blinte borxhin e saj. Gjasat që një shtet, në këtë rast Shqipëria, të falimentojë janë pothuajse inekzistente, por gjasat që ajo mund të goditet fort, janë më të larta se norma e Eurobondit./Shkruar nga G.T për Zoom.al