zoom

Ekonomi

Pse inflacioni i Shqipërisë nuk rezulton i njëjtë, matur nga Instat dhe Eurostat?

Sipas metodologjisë së Eurostat, inflacioni në muajin maj ishte 6% në vendin tonë, rezultat më i ulët se matjet kombëtare që raportuan për një ndryshim vjetor me 6.7%.

Këto ndryshime vijnë për shkak të peshave të ndryshme të disa grupeve në artikujt e shportës.

Rritja më e madhe e çmimeve prej 13.3 % vërehet në grupin e transportit, ndjekur nga ushqimet dhe pijet joalkoolike me 9.6%. “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 4.8 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 4.3 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 3.5 %, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 3.4 %, “Veshje dhe këpucë” me 2.1 %, “Argëtim dhe kulturë” me 1.2 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1.0 %, “Shërbimi arsimor” me 0.9 % dhe “Komunikimi” me 0.8 %.

Në muajin Maj 2022, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është -0.8 %.

Ky është muaji i dytë radhazi që metoda europiane e matjes së inflacioni rezulton më i lartë se ai vendas, kur tradita ishte e kundërta.

Metodologjia e Eurostat, përfshin disa produkte të tjera në shportën e përllogaritjes dhe ndikimin e produkteve të importit. Pra qartazi, rritja e çmimeve është lokale më shumë se sa e ndikuar nga tregjet e jashtme, siç thuhet shpesh.

Po ashtu, pak ditë më parë, në një raport të Bankës së Shqipërisë, thuhet se inflacioni i importuar në Shqipëri është rreth 50%. Nga kjo rezulton se inflacioni nuk ka qenë vetëm ndikim i luftës apo problemeve të tjera në botë./Zoom.al

 

Ky është artikull ekskluziv i Zoom.al dhe gëzon të drejtën e autorësisë në bazë të Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Ai mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Zoom.al”,shoqëruar me linkun e artikullit origjinal. Për mosrespektimin e këtij detyrimi, çdo shkelës do të ngarkohet me përgjegjësi sipas Ligjit Nr/ 35/2016.