zoom

Bota

Pse gratë kanë më shumë borxhe se burrat?

Ka shumë arsye pse gratë po akumulojnë më shumë borxh vitet e fundit sesa burrat dhe më poshtë janë disa prej tyre.

Në SHBA një nga kontribuuesit kryesor të kësaj statistike janë borxhet studentore që llogaritet të vlejnë plot $1.3 trilionë dollarë.

Borxhet studentore janë kategoria e dytë më e madhe e borxhit konsumator në SHBA, pas kredive të shtëpisë. Ato janë më të larta se kartat e kreditit dhe kreditë e makinave të marra së bashku.

Dhe gratë llogaritet të kenë marrë plot 2/3 të tyre.

Arsyeja kryesore për këtë është pikërisht fakti që për herë të parë në histori, gratë ja kanë kaluar burrave për sa i përket frekuentimit të universitetit.

Në vitin 2019, rreth 60% e studentëve në universitetet amerikane ishin vajza dhe ky numër pritet vetëm të rritet.

Por kjo nuk është e gjitha.

Më shumë gra ndjekin studimet post-universitare

Gratë po ja kalojnë burrave edhe për sa i përket studimeve master (62%) dhe kjo sigurisht që po rëndon edhe më tepër mbi borxhin e akumuluar prej tyre.

Mbi të gjitha, degët që ato zgjedhin i vendosin në një disavantazh të ndjeshëm kundrejt seksit të kundërt.

Degët e zgjedhura nga gratë janë më pak fitimprurëse

Fatkeqësisht, sipas një raporti të Pew, burrat ende diplomohen në rreth 80% të degëve që konsiderohen ‘high-earning’, apo më fitimprurëse.

Për shembull, 80% e atyre që diplomohen për Inxhinieri, Shkenca Kompjuterike apo MIS (Menaxhimi i Sistemeve të Informacionit) ishin burra.

Nga 10 degët më të paguara, e vetmja që dominohej nga gratë ishte Infermieria, ku 84.4% e të diplomuarave ishin vajza.

Një raport i Pew në vitin 2015, gjithashtu zbuloi se vetëm 5.4% e 500 CEO-ve më të paguar ishin gratë.

Edukimi financiar në familje mungon

Raport i publikuar nga Banka Amerikane rreth financave personale zbuloi se gratë edukoheshin më pak nga familjet e tyre rreth financave personale se sa burrat.

41% e grave (dhe 51% e burrave) thanë se prindërit u kishin mësuar si të investonin para dhe të kursenin për vitet e pensionit.

Ndërkohë 27% e grave (dhe 45% e burrave) thanë se prindërit i kishin mësuar si të silleshin gjatë periudhave të vështira financiare dhe 26% e grave (dhe 40% e burrave) thanë se prindërit i kishin prezantuar me një këshilltar financiar.

Taksa ‘rozë’

Fatkeqësisht gratë hasen edhe më një tjetër pengesë që ja bën atyre më të vështirë pagesën e borxheve dhe ajo është pikërisht ‘taksa rozë’.

Kjo taksë i dedikohet posaçërisht seksit femër, duke bërë që produktet që i dedikohen target-grupeve femërore të shiten më shtrenjtë.

Kjo fillon nga veshjes, tek produktet e kujdesit personal, ku shampot, kremrat, brisqet, produktet e ciklit menstrual etj. vlerësohen më shtrenjtë se produktet mashkullore.