zoom

Lajme

Protesta te Bashkia, procedohen penalisht dhe 2 përfaqësues të Rithemelimit e PL. Lista e emrave

Një ditë pas protestës së opozitës para Bashkisë së Tiranës, krahas 3 protestuesve të arrestuar dhe dy të tjerëve në kërkim, policia njofton se ka proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe figura politike të partive opozitare, si organizatorë apo dhunues.

Sipas pohimit zyrtar, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë Klevis Balliu, Sekretar për Aksionin Qytetar në grupimin e Rithemelimit të Partisë Demokratike dhe Tedi Blushi, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë.

Policia tha se pas përfundimit të protestës janë kryer veprimet procedurale, është këqyrur vendi i ngjarjes, ku janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale objekte dhe sende të hedhura në drejtim të Bashkisë Tiranë të cilat janë dërguar për ekspertime të mëtejshme kriminalistike.

Për përdorimin e materialeve piroteknike janë arrestuar në flagrancë shtetasit Kevin Vidrica dhe Bernard Metaliaj, ndërsa në kërkim janë edhe dy persona të tjerë ende të pa identifikuar.

Për dhunën ndaj efektivëve të policisë është akuzuar shtetasi Franc Kaloshi, banues në Lushnjë, si dhe janë proceduar në gjendje të lirë: Klevis Balliu, Tedi Blushi, Enri Vrenozi, Dardan Bardhi.

Gjithashtu, janë shpallur në kërkim policor Avni Tobli, Rubin Dashi, Artan Muçmata, Joni Hoxha, Besim Ziri, Besar Gjeçaj, Erjon Prenga dhe Alfred Pëllumbi. /ZOOM.AL/