Aplikacion
Dibran Hoxhaj, i njohur me pseudonimin “Kobra”, pronar i lolalit “Kobra City” në Prishtinë, ka pasur precedent të tjerë kriminalë.
Ai është dënuar plot 16 herë për plagosje, armëmbajtje pa leje, kanosje, dëmtim të pasurisë e disa vepra të tjera.
Në 12 raste dënimi ka qenë me gjobë, ndërsa në 4 të tjera është dënuar me kusht.
Por edhe pse një kriminel i dorës së parë, Dibran Hoxhaj kishte gjetur hapësirë në media për të promovuar imazhin dhe biznesin e tij.
Në janar të vitit 2021 ai zuri hapësirë të rëndësishme televizive në emisionin Prive të Liberta Spahiut në Kosovë.
“Sonte kemi një karakter shumë të veçantë dhe shumë interesant, i cili ka shumë gjëra për të na treguar jashtë asaj se çfarë shkruan në rrjetet e tij sociale. Dibran Hoxhaj, përndryshe i njohur si Kobra, vjen në Prive për të na folur për jetën e tij personale, për problemet, për akuzat, për burgun që ka mbajtur, gjithashtu edhe për pjesët e tij të fundit në Tik Tok, i cili është bërë sensacion me videot e tij”, thotë moderatorja në hyrje të emisionit (shihni videon në fund të lajmit të Zoom.al.)
“Njerëzit flasin gjithçka, është e drejta e tyre. Do gjona janë të vërteta, por do i kanë ekzagjeru aq shumë saqë s’po arrij me besu që a jam unë ai person që për të cilin po flasin”, shprehet Hoxhaj në nisje të emisionit.
Jo pak, por 30 minuta emision kushtuar jetës luksoze të këtij personazhi, i cili ishte bërë i njohur në rrjetet sociale pikërisht për luksin dhe për një varëse me një pllakë të madhe floriri që mbante në qafë, që e dallonte në çdo foto e video të postuar.
Por veç luksit të shfrenuar, i cili ka gjasë të lidhet me aktivitetet e tij kriminale, çfarë përfaqësonte tjetër Dibran Hoxhaj? Përse duhej promovuar si model në media një person i tillë problematik me ligjin, në vend që të tregohet me gisht si modeli që s’duhet ndjekur?
Krimi i dy ditëve më parë ishte kronikë e një vrasje të paralajmëruar. Ai e kishte tentuar vrasjen në disa herë të tjera, por kishte arritur vetëm t’i plagoste viktimat e tij. Por në Prive askush s’u mor seriozisht me këtë anë të tij. Përkundrazi, atij iu dha hapësirë t’i shfaqej publikut si një njeri normal, ku ana kriminale përbënte vetëm një problematikë të vogël, në të cilën shoqëria dhe media s’kishte pse të ndalej dhe që në vend të saj duhet t’i kushtonte vëmendje ofertës joshëse me videot e jetës luksoze që ai tregonte në rrjetet sociale. /Zoom.al