Aplikacion
Por kush është Rezart Taçi?
President i grupit “Taçi Oil”, televizionit “Albanian Screen” etj, biznesi i tij shtrihet edhe jashtë Shqipërisë, ndërsa emri i Rezart Taçit është lakuar edhe nga mediat perëndimore mbi ofertat ndaj ekipeve të “Serie A” në Itali.
Lindur në 1971-shin në Tiranë, Rezart Taçi e filloi karrierën në fushën e tregëtisë së hidrokarbureve në vitin 1998. Në vitin 2003 ai krijoi “Taçi Oil International Trading and Supply Company” shkurt Taçi Oil, e cila merret me tregtimin me shumicë të karburanteve të përpunuara me depozita dhe stabilimente në Durrës dhe Shëngjin me kapacitet të përbashkët prej 80,000 m3.
Në vitin 2004 krijoi Anika Enterprises, një kompani ndihmëse për Taçi Oil në tregëtimin e karburantev me bazë në Zvicër. Në vitin 2006 krijoi KUID një kompani për shitjen me pakicë të karburanteve të rafinuara duke arritur në ditët e sotme me rreth 300 pika shitje karburanti me rreth 1400 punonjës në të gjithë shqipërinë.
Në vitin 2008 Taçi Oil blen 85% të aksioneve të ARMO e cila ka në dispozicion 2 rafineri nafte. Ai zotëron po ashtu kompani si YPO Oil and Energy me qendër në Singapor, e cila është edhe aksioneria kryesore e Vetro Energy me 51%, një kompani e krijuar për të privatizuar Albpetrolin me një vlerë prej 850 milionë eurosh, por rezultoi në një dështim për arsye se Vetro Energy nuk garantonte dot kapacitetet financiare të kërkuara nga shteti shqiptar.
Në vitin 2016, Taçi u arrestua në Zvicër me urdhër të Prokurorisë Publike të kantonit të Gjenevës në Zvicër, për akuzën e “mashtrimit”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Falsifikimi i vulave dhe i stampave ose i formularëve”.
Ky hetim kishte nisur pas kallëzimit të dy kompanive, një e regjistruar në shtetin Panamez me emrin “Wallis Trading INC” dhe ajo Holandeze me emrin “Trafigura Beheer Bv”, të cilët me kompaninë e Rezart Taçit kishin një marrëveshje tregtare të nënshkruar që në vitin 2009.