Aplikacion
“Altin Dumani?! I ndershëm dhe i vendosur!”
Dikush thotë se është edhe i shkathët. Kjo është e kuptueshme kur sheh karrierën e tij në ngjitje.
Por çfarë dallon në bisedat me prokurorë, gjyqtarë, avokatë, politikanë, gazetarë e miq të tij, është se të gjithë bien në një mendje: “nuk i fut dot miq”.
Është e vështirë të gjesh sot drejtues institucionesh e zyrtarë që “nuk ua gjen dot anën”. Dhe kur dëgjon këtë për Altin Dumanin, mendimi rezonon mes maleve me dyshime se si është e mundur të thuhet kjo për dikë që ka 25 vjet në zyrat e një prokurorie me plot probleme të integritetit të prokurorëve dhe mes frikës se, duke e besuar këtë, zhgënjimi që dikush mund të bëjë drejtësi në këtë vend mund të bëhet disa herë më i madh.
Altin Dumani nuk është i mbinatyrshëm. “Ne nuk jemi shkopi magjik që të kontrollojmë çdo gjë” – u tha ai një grupi gazetarësh, politikanësh, krerësh institucionesh e biznesmenësh pak ditë më parë.
Por tani “askush nuk është imun”, përsërit shpesh ai në takime formale dhe informale, me gazetarë dhe njerëz të drejtësisë. “Për këdo që do të ketë prova, SPAK do të veprojë.”
Në më pak se 1 vit e gjysmë në krye të SPAK ai ka mundur ta shndërrojë Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në institucionin më të besueshëm të Shqipërisë së rrëmujshme të përiudhës së Rilindjes socialiste.
“Macet e varura”, në kontekstin e “kokave që do të priteshin” nga drejtësia me zgjedhjen e tij në krye të SPAK me një mbështetje të fortë të SHBA, ishte retorika më e përdorur në oborrin e godinës së qelqtë një ditë pas emërimit si drejtues, më 16 dhjetor 2022.
14 muaj më pas ministra, deputetë, kryetarë bashkish, drejtorë e zyrtarë të tjerë të lartë po shkojnë njëri pas tjetrit përpara bankës së të akuzuarve për paratë që u kanë vjedhur shqiptarëve përmes mekanizmave të shumëllojshëm të korrupsionit.
Dhe njëri pas tjetrit, edhe ata që s’ia kanë provuar prangat e SPAK po e shohin se nuk janë më të paprekshëm; se prokuroria po merret në fund edhe me ata, seriozisht.
Në një xhungël krimi e korrupsioni si kjo e Shqipërisë, Altin Dumani arriti t’i tregojë SPAK-ut pyllin ku duhej gjuajtur: atë të pushtetit.
Prokurorët e Posaçëm dhe hetuesit e BKH po futen zyrë më zyrë, po hapin dosje e po ndjekin paratë që vidhen përmes skemave korruptive të paimagjinueshme. Në rrjetat e ngritura po bien njerëz për të cilin ligji ishte i pafuqishëm përballë pushtetit të partisë ku militojnë.
Nëse ndodh që ta sfidosh me emrin e një personazhi të caktuar politik, zëre se i ke hedhur dorashkën e sfidës; jo të një sfide personale, por të një sprove për të treguar se askush nuk është më i paprekshëm për shkak të pozicionit që mban apo emrit që ka.
Arben Ahmetaj, Vangjush Dako, Ilir Beqaj, Kryetarë Bashkish, Sekretarë të Përgjithshëm Ministrish, Drejtorë të Përgjithshëm – kush do ta kishte imagjinuar. Ky duket se është vetëm fillimi; një fillim i mbarë, fatmirësisht.
Që me zgjedhjen e tij në krye të SPAK, në vetë këtë institucion është krijuar miti se ai mund të çojë në pranga edhe kolegun e zyrës. Por prokurorët, më shumë se frika se mund ta kenë kundër nëse shkelin ligjin, po shohin se e kanë në krah.
“Prokurorët do të kenë mbështetjen time”, tha ai përballë Këshillit të Lartë të Prokurorisë kur kërkonte votëbesimin. “Të qenit prokuror nuk ishte punë, por mision.”
Dhe duket se të parit si mision, po jep rezultatet e pritura në drejtim të korrupsionit, të goditjes së krimit të organizuar, trafikun e drogës, vrasjet me pagesë. Shqipëria lëngon nga të gjitha këto, por korrupsioni i zyrtarëve të lartë është gangrena më e madhe. Ata janë votuar, zgjedhur, emëruar aty për t’u shërbyer qytetarëve, jo për t’u vjedhur atyre paratë në xhep.
Dhe Altin Dumani, ashtu si çdo prokuror tjetër apo çdo qytetar i këtij vendi e di këtë, por ndryshe nga shumë të tjerë nuk po rri duarkryq, nuk po shijon pagën e majme, luksin e kolltukut, privilegjet e një zyre të pushtetshme.
Ai e di këtë. “Jemi të vendosur për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë”, u tha ai sot antarëve të KLP-së. “Nuk e di se nëse do ta arrijmë shpejt apo vonë, por ne po punojmë që ta shkurtojmë këtë kohë.” /Zoom.al