zoom

Ekonomi

“Procesi i fiskalizimit ka rënë në gjumë”! Tatimet dështojnë, as 30% e bizneseve nuk e kanë kryer si proces

Statistikat e fundit të Tatimeve për fiskalizimet përplasen fort me realitetin e vendit. Ndryshe nga klima që jep politika, pas 21 janarit ka krijuar sipërmarrjes nga frenimet e formalizimit që sjell legalizimi i mospagimit të detyrimeve (amnistia), të dhënat e tatimeve tregojnë që të paktën taksat po i mblidhen biznesit.

Statistikat e fundit të Tatimeve përplasen fort me realitetin ekonomik të vendit. Ndryshe nga klima që politika, pas 21 janarit, i ka krijuar sipërmarrjes, ndryshe nga frenimet e formalizimit që sjell legalizimi i mospagimit të detyrimeve (amnistia), të dhënat e tatimeve tregojnë që të paktën taksat po i mblidhen biznesit.

Në shtator 2021 nisi zbatimin procesi i fiskalizimit për biznesin e vogël, që vlerësohet faza më e vështirë, për shkak të numrit të lartë të subjekteve që kryejnë transaksione me para në dorë.

Deri tani, numri i bizneseve të fiskalizuara është shumë i ulët. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për “Monitor”, deri më 3 tetor janë fiskalizuar 30% e totalit prej 120,000 bizneseve aktive që kanë detyrimin të fiskalizohen. Nga bizneset e vogla, 23% e tyre janë fiskalizuar. Më certifikatë elektronike nga AKSHI janë pajisur 38% e bizneseve.
Për kontabilistët dhe audituesit ligjorë, numri i ulët i bizneseve të fiskalizuara është për shkak të keqkuptimit të aktit normativ për mosvendosjen e gjobave. Shqetësuese për ta janë edhe mjaft probleme ende të pazgjidhura të fiskalizimit, vështirësitë në ndërveprimin e bizneseve të fiskalizuara me ato të pafiskalizuara, si dhe ngadalësia me të cilën punon sistemi SelfCare.

Sa është numri i bizneseve të fiskalizuara

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT) për “Monitor”, numri total i bizneseve të vogla të fiskalizuara deri në datën 3 tetor është 20,685 apo 23% e atyre që kanë detyrimin të fiskalizohen. Tatimpagues të fiskalizuar në total, deri më datë 3 tetor, janë 36,847 apo rreth 30% e totalit prej 120,000 subjekte që kanë detyrimin të fiskalizohen.

Nga nisja e procesit deri më 5 tetor, sipas të dhënave të AKSHI-t në total janë lëshuar 74,382 certifikata elektronike. Janë edhe 7,333 subjekte që kanë aplikuar dhe janë në pritje të pajisjen me certifikatë elektronike. Në total, numri i faturave të lëshuara është 48,9 mln, ku 46,6 mln është numri i faturave të lëshuara me para në dorë dhe 2,2 mln është numri i faturave pa para në dorë.

Por cilat janë arsyet e fiskalizimit me ritëm të ngadaltë

Kontabilisti Sotiraq Dhamo vlerëson se një ndër arsyet kryesore se pse shumë biznese nuk po fiskalizohen është, pasi prej tyre është keqkuptuar akti normativ për mosvendosjen e gjobave.

“Procesi i fiskalizimit ka rënë në gjumë. Janë shumë subjekte (sidomos të vogla) që nuk po fiskalizohen, pasi sipas tyre kanë afat deri më 31 dhjetor. Të tjerë, edhe pse janë fiskalizuar, nuk po lëshojnë fatura të fiskalizuara. Subjektet e pajisura me certifikatë elektronike vazhdojnë të lëshojnë faturat nga blloqet tatimore. Ka edhe biznese që janë të pajisur me certifikatë elektronike dhe kanë lidhur edhe kontratë për përdorimin e zgjidhjeve software, por sërish nuk lëshojnë fatura të fiskalizuara.

Kjo ndodh pasi shumë biznese po përfitojnë nga faza tranzitore e mosvendosjes së gjobave. Në anën tjetër ka shumë njerëz që keqinformojnë subjektet, pohon Dhamo.

Edhe për audituesin ligjor, Sokol Toska, procesi i fiskalizimit nuk po zbatohet nga bizneset për shkak të aktit normativ për heqjen e gjobave, lëshimit të faturave nga blloqet tatimore nga disa biznese, si dhe vonesat në pajisjen me certifikatën elektronike.

A do të funksionojë platforma SelfCare nga 1 janari 2022

Kontabilistët dhe ekspertët parashikojnë mosfunksionim të portalit SelfCare nga 1 janari 2022 kur pritet të përfshihen 120,000 subjektet që kanë detyrimin të ndryshojnë faturimin. Për kontabilistët, ngadalësia me të cilën punon aktualisht sistemi (kur janë të fiskalizuar 30% e subjekteve) nuk ofron garanci për funksionim të plotë nga 1 janari 2022.

Cilat janë problematikat e pazgjidhura të fiskalizimit

-Vonesa në marrjen e certifikatës dixhitale

-Mosshfaqja e faturave në platformën e blerësit

-Shfaqja e deklaratave doganore me shumë ditë vonesë

-Formatimi shumë i keq nëse fatura e blerjes printohet

-Vështirësitë me administrimin e artikujve dhe funksionaliteteve të tjera të sistemit.

-Anulimi i faturave

-Pranimi i faturave të blerjes

Dështimi i fiskalizimit ka sjell, shtrenjtimin e bukës

Importuesit kryesorë të produkteve ushqimore paralajmërojnë se zbatimi i plotë i procesit të fiskalizimit do të ndikojë te rritja e çmimeve. Ndryshimi i faturimit pritet të rrisë kostot te të gjitha bizneset e vogla. Para zbatimit të procesit të fiskalizimit, shitësit pas dorës së dytë deri te dyqanet e vogla (që furnizohen me produkte nga importuesit) nëse pa u fiskalizuar nuk prisnin fatura dhe kjo ka ndikuar tek ulja e çmimit, me procesin e fiskalizimit, këto biznese do të jenë të detyruara të lëshojnë faturë të fiskalizuar.