Aplikacion
Si gushti do të jetë edhe shtatori. Çdokush mund të shkojë dhe të marrë falas njërën nga vaksinat në dispozicion.
Autoritetet, jo vetëm në Shqipëri, po bëjnë thirrje që popullsia të vaksinohet. Vaksina është me dëshirë dhe jo e detyrueshme, por shumë vende po marrin masa të atilla që e bëjnë atë të domosdoshme, si për të punuar, ashtu edhe për të udhëtuar.
Në Shqipëri autoritetet po e shtojnë presionin ndaj qytetarëve që të vaksinohen. Më 13 gusht, Shkolla e Magjistraturës e bëri me detyrim vaksinimin. Ajo njoftoi të gjithë kandidatët që do të studiojnë në vitin akademik 2021-2022 se duhet të bëjnë vaksinën si e vetmja mënyrë për t’u bërë pjesë auditorëve.
NJOFTIMI:
“Kandidatet per magjistrate per te siguruar mbarevajtjen e programit te trajnimit fillestar permes mesimit ne auditor, te marrin masat e nevojshme per te kryer vaksinat anti-Covid. Cdo kandidat te depozitoje elektronikisht ne sekretarine mesimore vertetimin zyrtar me qellim qe te jene pjesemarres ne trajnimin ne auditor prej dates 4 Tetor 2021 e ne vijim. Ju kujtojme qe muaji Gusht eshte i hapur per vaksinimin e te gjitha grupmoshave mbi 18 vjec.”
Silva Bino, një prej drejtuesve të ISHP ka propozuar një mekanizëm detyrues për institucionet shetërore, arsimore dhe shëndetësore.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu paralajmëroi sot (e martë 24 gusht) për një valë tjetër të covid, duke njoftuar qytetarët se edhe shtatori do të jetë muaj i hapur për vaksinimin.
Po përse po kërkohet me këmbëngulje vaksinimi?
Një burim i besueshëm tha për Zoom.al se me dhjetëra mijëra vaksina të Pfizer janë në afatet e fundit të skandencës. Nga dozat që janë aktualisht në Shqipëri, skandenca më e largët është 15 tetori.
Në shumë vende të botës skandenca e vaksinave po shndërrohet në një luftë me kohën.
Associated Press shkruajti pak ditë më parë se disa shtete janë në garë me kohën për t’i përdorur vaksinat kundër covid-19 përpara se ato të skadojnë.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës autoritetet kërkuan që vaksinat e J&J të përdoren edhe 6 muaj pas skadimit nëse ruhen siç duhet. “Disa shtete gjithashtu raportojnë se shumë doza Pfizer dhe Moderna po i afrohen skadimit, i cili është caktuar gjashtë muaj nga data e prodhimit. Në Luiziana, rreth 100,000 doza Pfizer do të skadojnë për rreth një javë”, shkruante Associated Press më 30 korrik.
Sot këto doza kanë skaduar.
Më 1 korrik, gazeta Times of Izrael raportonte se Pfizer ka refuzuar një kërkesë të Izraelit për të zgjatur datën e skadimit për mbi një milion vaksinat e saj që do të skadojnë më 30 korrik. Më 1 gusht Izraeli numëroi rreth 1.4 milion doza të skaduara të Pfizer.
Në Shqipëri, Euronews raportoi se rritja e sasisë së furnizimit, kushtet specifike të ruajtjes dhe afati i shkurtër i skadencës, mendohet se janë disa nga arsyet që çuan Ministrinë e Shëndetësisë drejt vendimit për zgjerimin e vaksinimit me Pfizer, përdorimi i së cilës fillimisht u kufizua vetëm për personat me probleme kronike në shëndet, por tani po aplikohet më gjerësisht.
Erida Nelaj, shefe e sektorit të vaksinimit, pranë ISHP, pranoi se vaksina Pfizer është vaksina me afatin më të shkurtër të skadencës nga vaksinat e ardhura deri tani në Shqipëri.
“Pfizer edhe Moderna që ne nuk e kemi, nuk kanë afate shumë të gjata skadence .Të paktën gjithmonë ne kemi avancë tre-katër muaj përpara afatit përfundimtar të skadencës kur ne i marrim. Coronavac ka skadencën më të gjatë, deri në 2022. AstraZeneca, sasia që kemi marrë ka një afat deri në fund të tetorit,” – u shpreh Nelaj për Euronews.
Autoritetet shëndetësore nuk iu përgjigjën një kërkese të Zoom.al për koment. Në dokumentet zyrtare të publikuara mbi vaksinat, transparenca mbi afatin e skandencës mungon.
Zoom.al mësoi se në magazinat e ISHP ndodhen mes 200 dhe 300 mijë vaksina të Pfizer, të cilat skadojnë brenda pak javësh, një humbje e madhe kjo si për faktin se sigurimi i tyre ka qenë i vështirë, aq edhe nga ana financiare. Një vaksinë e Pfizer është blerë afro 12 dollarë, siç rezulton nga kontrata mes qeverisë dhe Pfizer, që rodhi pak muaj më parë në mediat online. /Zoom.al