zoom

Politikë

Premtimi i fortë i Bashës kundër pronarëve të medias

Lulzim Basha bëri një premtim të fortë në intervistën e tij për gazetarin Lutfi Dervishi në Televizionin Publik Shqiptar. Në mënyrë të prerë ai doli hapur kundër pronarëve të mediave dhe u rreshtua pro gazetarëve, duke thënë se këta të fundit nuk do të jenë më në mëshirë të pronarëve. Sipas Bashës, kjo do të arrihet duke miratuar statusin e gazetarit, për t’i dhënë fund abuzimit dhe vartësisë së gazetarëve dhe punonjësve të medias nga tekat e pronarëve apo të qeverisë që diktojnë pronarët. Basha tha se me ardhjen e PD në pushtet edhe televizioni publikdo të rikthehet në vendin që i takon.

Lulzim Basha:  Dy janë fushat kryesore në të cilat unë si kryeministër nesër do të ndikoj në përmirësimin e lirisë së medias. Së pari statusi i gazetarëve. Garantimi i gazetarit dhe i punëtorit të medias, se kur flas për gazetarët flas për këdo, flas edhe për operatorët, flas edhe për editorët, flas edhe për kryeredaktorët, për të gjithë ata që merren me median që nuk do të jenë në mëshirën e pronarit qoftë ky pronar privat që është shumica e mediave sot, qoftë ky pronari publik. Një status financiar, një status dinjitoze, në mbrojtje të pamatshme siç e meriton dikush që është përçues i interesit publik dhe është  mediatori midis  interesave të ndryshme të një shoqërie në veçanti mediatori midis qeverisë dhe të qytetarëve. Statusi i gazetarit do t’i japë fund abuzimit dhe varësisë së gazetarëve dhe punonjësve të medias nga tekat e pronarëve të medias apo akoma më keq nga tekat e qeverisë apo të politikës që diktojnë pastaj pronarët e medias duke i mbajtur ata peng apo duke i joshur me forma dhe mënyra të ndryshme. Dhe zotimi im i dytë është forcimi i televizionit publik. Forcimi i televizionit publik do të thotë që ne do të propozojmë dhe shpresojmë edhe me miratimin e opozitës së ardhshme socialiste, do të kalojmë një ligj në parlament ku financimi i televizionit publik do të jetë një përqindje e caktuar e buxhetit dhe i gjithë mekanizmi i mbikëqyrjes dhe i vënies në punë e televizionit publik do të bëhet në mënyrë të tillë që ti përkasë realisht botës së medias, ti përkasë gazetarëve dhe shoqatave të gazetarëve dhe jo të ndikohet politikisht. Pra mos të jetë pronë e pa shpallur e partisë në pushtet.

Ajo që unë pres nga televizioni publik nuk është që të më shërbejë mua si kryeministër nesër apo partisë time në pushtet por pres që përmes parave të taksapuguesve me të cilat paguhet të zërë atë vend në audiencë dhe t’i japë atë vend debatit publik që meriton një shoqëri e emancipuar Europiane.