zoom

Aktualitet

Prej 9 muajsh në arrati/ Arrestohet pronari i firmës së bananeve që sillte kokainë në Shqipëri

Policia ka njoftuar se është arrestuar pronari i firmës “Alba Exotic Fruit”, Eduart Dauti, 51 vjeç, banues në Tiranë.

Dauti ishte i arratisur dhe i shpallur në kërkim nga korriku 2021, kur u kap ngarkesa e fundit me kokainë në kontejnerët e kësaj kompanie.

Kompania që importon banane nga Ekuadori në Shqipëri, është kapur tre herë me ngarkesa kokaine në mjetet e saj gjatë viteve të fundit.

 

“Ky shtetas është shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.

Në kuadër të operacionit “Rada” të nisur më datë 13.07.2021, në Portin e Durrësit, nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe autoritetet doganore të Portit, gjatë kontrolleve, në kontenierët e firmës “Alba Exotic Fruit”, në disa raste, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, sasi lënde të dyshuara narkotike të llojit kokainë.”