zoom

Aktualitet

“Portugezi ishte mësuar të fliste shqip”/Zbardhet dëshmia e një vajze për vrasësit e biznesmenit

Dëshmia e një vajze ka ndihmuar policinë që të arrijnë në gjurmët e shtetasve të huaj që ishin pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që dyshohet se ekzekutuan biznesmenin Ardian Nikulaj, mesditën e 19 prillit.

Mësohet se dëshmitarja ka pasur informacion për lëvizjet e tyre dhe ka treguar para hetuesve se shtetasi portugezi, që kreu vrasjen, ishte instruktuar të fliste në shqip për të humbur gjurmët.

Sipas gazetares Klodiana Lala, ajo nuk ka statusin e të penduarës së drejtësisë.

Zona e Shëngjinit ka shumë turistë për shkak se është një zonë bregdetare, por të dhënat nga dëshmia e gruas kanë sjellë zbulimin e autorëve të dyshuar.

Gjithashtu janë fiksuar dhe pamjet e kamerave të sigurisë së një marketi në Shkodër ku portugezi kryente blerjet e ushqimeve.

Prokuroria dhe policia kanë dyshime se gjenden përballë një grupi të strukturuar kriminal dhe kjo ngjarje ka ndodhur për motive hakmarrje.

Dyshohet se portugezi që kreu ekzekutimin dhe 4 shtetasit britanikë që kishin rolin e vëzhguesve, janë paguar për të kryer vrasjen.

Deri më tani, ka dyshime se organizatori është Edmond Haxhiaj, por nuk dihet se cili nga anëtarët e familjes Lekstakaj e ka financuar.

Pas historisë së Gjakmarrjes mes familjes së Nikulajt dhe Lekstakaj mësohet fshihet një histori tragjike për një pagesë prej 10 mijë lekësh të vjetra për karburantin në vitet ’97.