Aplikacion
Janë mbi 200 mijë litra në harkun kohor të 6 muajve. Të gjitha me destinacion Porto Romanon, një port privat i shkarkimit të hidrokarbureve, që duket se po ndikon në rikthimin e kontrabandës si në kohën e qeverisjes së Fatos Nanos.
Rasti i 12 shtatorit konsiderohet më flagranti. Anija “Queen Majeda” me 10 një ekip libian prej 10 personash po bëhej gati të ankorohej në portin e Porto Romanos. Por befas ajo nisi manovrat për t’u larguar.
Ajo kishte 1 javë që lundronte drejt Porto Romanos dhe kishte njoftuar 24 orë përpara mbërritjes kompaninë “GK Maritime” për të bërë gati procedurat.
Kjo ishte ngarkesa e tretë që ajo do të shkarkonte në Porto Romano.
Anija do të kishte vijuar normalisht shkarkimin e 50 mijë tonëve naftë që vinte nga Libia, duke shkelur kështu embargon ndërkombëtare të vendosur mbi naftën libiane, por gjithçka u ndalua kur policia e Durrësit ndërhyri pasi iu kërkua nga një agjenci tjetër ligjzbatuese shqiptare.
Një burim i Zoom.al tha se policia u informua nga Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), i cili e kishte marrë informacionin nga shërbimet partnere.
“Sa për autoritetet tona, ajo naftë do kishte përfunduar në treg”, tha burimi.
Prokurori Edmond Koloshi lëshoi një urdhër për sekuestrimin e anijes. Kapiteni u arrestua. 11 ditë pas sekuestrimit ai arriti në konkluzionin se dokumentet që “Queen Majeda” kishte dorëzuar në Agjencinë Detare “GK Maritime”, ishin të falsifikuara dhe se nafta ishte e gjitha kontrabandë.
Pritësi i ngarkesës ishte kompania “Kastrati sh.a”. Por hetimet e prokurorit Koloshi mbetën vetëm te libianët. Edhe pse u shkel embargo, u arrestuan vetëm 4 libianët Z.A. 54 vjeç, A.A. 43 vjeç, M.A.A. 25 vjeç dhe B. T. 25 vjeç, të akuzuar vetëm për kontrabandë.
Prokurori nuk ngriti asnjë hetim për asnjë nga kompanitë shqiptare të përfshira në zhdoganim, import dhe deklarimin e naftës.
Kompania “Kastrati sh.a” u tërhoq nga blerja në momentet e fundit.
Kapiteni i anijes, i arrestuar, ka dhënë këtë shpjegim në prokurori për arsyet e tërheqjes së “Kastrati sh.a”.
“Ne erdhëm në Durrës dhe ishim në pritje të dorëzonim mallin. Papritur na mori pronari i kompanisë dhe na tha se do prisni pasi kompania shqiptare (Kastrati sh.a) kishte kërkuar ulje çmimi. S’kishin rënë dakord për çmimin, edhe pse paraprakisht kompanitë ishin dakordësuar“, – është shprehur ai.
Tërheqja e “Kastrati sh.a” në kohën kur anija kishte mbërritur në Porto Romano erdhi pak para se policia të lëshonte udhërin për kontroll. Ka dyshime se ajo mund të jetë njoftuar nga brenda policisë.
“S’ka shpjegim tjetër. Nuk kishte pse të tërhiqej në momentin e fundit kur ishte dakordësuar me kohë për çmimin. Është justifikim”, thotë një specialist i doganave në kushtet e anonimatit për Zoom.al.
Anija “Queen Majeda”, e ngarkuar në naftë libiane në portin e Bengazit, kishte sjellë më 8 maj 2022 1750 ton naftë 1000 PPM në Porto Romano dhe më 7 gusht 2022, 2235,90 ton naftë 1000 PPM. Pas 6 muajsh hetime nuk dihet ende edhe nëse këto sasi kanë qenë kontrabandë, ndërsa porositësi rezulton i njëjti.
Investigative Network Albania ka zbuluar se “Queen Majeda” kishte ngarkuar në maj të vitit 2022 naftë libiane në Bengazi për eksport të paligjshëm me destinacion Shqipërinë.
Kjo anije ishte kontraktuar edhe nga kompania shqiptare “Marine Gasoil 1000 PPM”, por në lundrimin e 25 majit 2022 kishte hasur probleme me autoritetet italiane.
Anija u sekuestrua me vendim të gjykatës së Reggio Calabria më 30 maj 2022, për 53 shkelje administrative. Por më 10 qershor u lirua për të lundruar drejt Shqipërisë.
Në Shqipëri kjo anije kishte paraqitur 43 praktika doganore me origjinë Libinë. Agjensitë doganore të cialt kanë kryer veprimet janë “Celaman” në 42 raste dhe “Alushi Trans” në një rast, sipas informacioneve të Investigative Network Albania.
Rasti i sotëm në Durrës është provë se kontrabanda e naftës vijon si asnjëherë më parë. Zoom.al mëson se policia e Durrësit u vu sërish në lëvizje nga agjencitë e tjera shtetërore, si me “Queen Majeda”.
Porositësit e naftës kontrabandë, në të gjitha rastet, janë kompanitë që importojnë dhe tregtojnë naftë në Shqipëri.
Por edhe pse goditjet janë shtuar, si pasojë e një vëmendje të shtuar të agjencive ndërkombëtare, autoritetet shqiptare nuk kanë shkuar asnjëherë te porositësit, të cilët janë hallka kryesore e kontrabandës së naftës.
Zoom.al ka pasqyruar më parë një denoncim të gazetarit nga Kosova, Berat Buzhala, i cili hodhi akuza për kontrabandë në mijëra tonë naftë, teksa ngriti pyetjen se si ka mundësi që Shqipëria, një vend me 3.5 milionë banorë ka importoi vitin e kaluar 700 mijë tonë, ndërsa Kosova me 1.7 milionë banorë importoi 600 mijë tonë?
“Nafta e importuar ilegalisht, ose që futet në mënyrë ilegale, duke mos i paguar tatimet, ku shitet? Në furra të bukës? Jo. Në dyqane të lagjes? Jo. Ajo shitet, në pompa të benzinës… Dy-tri burime në Shqipëri më kanë treguar që mbi 70 përqind e naftës së importuar kalon përmes depove të Shefqet Kastratit. Që do të thotë Shefqeti, sipas krejt standardeve se çfarë quajmë monopol, ai ka monopol mbi këtë produkt”, shkruan Buzhala në denoncimin e tij.
Opozita shqiptare nisi t’i denonconte këto raste, por ajo nuk përmendi asnjëherë porositësit. Në pak kohë, denoncimet e saj u ndalën. /Zoom.al