zoom

Aktualitet

Porti i Durrësit/ Mister zhdukja e 49 arkave me banane, pritet të lirohen 7 të arrestuarit

Mbetet mister zhdukja e 49 arkave me banane në Portin e Durrësit, brenda të cilave dyshohet të ketë pasur kokainë. Kontejneri i ardhur nga Ekuadori rezultoi pa plumbçe dhe në mungesë të një pjese të ngarkesës.

Punonjësit e sigurisë dhe konkretisht ata të monitorimit të kamerave në sallën operative do të lirohen nga burgu. Kështu, për Gentian Halilin, Rajd Bletën, Gjergji Doracin, Shefqet Elezin, Profit Tilën dhe Skënder Plakun sot prokurori Afrim Shehu do të kërkojë zëvendësimin e masës së sigurisë nga arrest në burg në detyrim paraqitjeje.

Gjithashtu edhe për dy punonjësit e kompanisë Ziko shpk, Altin Muhametaj, Mazmi Allgjata do të kërkojë zëvendësim të masës së sigurisë nga arrest në burg, në detyrim paraqitjeje.

Kujtojmë se pas përfundimit të këqyrjes së 195 orëve pamje filmike të marra në Portin e Durrësit, grupi që punoi për të kontrolluar filmimet nuk ka arritur që të zbulojë persona që mund t’i jenë afruar kontejnerit me banane që ishte dëmtuar.

Nga pamjet vërehet se grupi i AKU-së nuk e ka verifikuar ne terren fizikisht kontejnerin, duke e bërë procesverbalin nga distanca. Në këto kushte, grupi hetimor dyshon se kontejneri mund të jetë hapur në porte të tjera ku ka qëndruar ose në anijen që e transportonte. Gioa Tauro është port i parafundit para mbërritjes në Durrës.

Burime nga grupi hetimor thanë se kontejneri para se të kalonte në skaner ishte vendosur në një zonë, që kamerat e sigurisë nuk kanë fushëpamje./ Zoom.al