zoom

Politikë

Porositë në Tik Tok/ Falsifikimi i pasaportave u zbulua nga arrestimi i çiftit shqiptar në Hanover

Arrestimi i një çifti shqiptar në aeroportin e Hanoverit në Gjermani me destinacion Londrën, ka zbuluar një skemë të falsifikimit të dokumenteve të identitetit që përdoren për kalim të paligjshëm të kufirit në shtete të ndryshme.

Policia tha se ka arrestuar tre persona të dyshuar në këtë skemë në Tiranë, e cila aplikohej në platformën sociale Tik Tok: Mariglen Hoti, 35 vjeç, Shkëlqim Hoxha, 52 vjeç, dhe Ilir Hoxha, 34 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në Kamzë, dhe gjatë kontrollit të dokumenteve i gjetën një dokument (patentë italiane) të dyshuar të falsifikuar. Maringlen Hoxha, sipas Prokurorisë, kundrejt pagesës gjente klientë dhe i shiste në Shqipëri.

Operacioni mbulon një numër të madh zbulimesh të shtetasve shqiptarë që tentuan të udhëtonin drejt Mbretërisë së Bashkuar nëpërmjet aeroporteve të ndryshme në Gjermani duke përdorur dokumente identifikimi të falsifikuara.

Në datën 09.11.2022, në aeroportin e Hanoverit është arrestuar një çift shqiptar, të cilët po tentonin të fluturonin për në Londër duke përdorur dokumente greke të falsifikuara.

Pasaportat përmbanin një përzierje të filigranteve S të dyfishtë dhe gjysmëhënë, gjithashtu përmbanin një çip të lexueshëm.

Shtetasit e arrestuar janë O.N. dhe K.L., dhe gjatë hetimeve u konstatua se një i afërm i tyre kontaktoi me një falsifikues në Shqipëri nëpërmjet rrjetit ‘Tik-Tok’, profili “passaporaeurope”.

Në vijim të hetimeve nga ana e Prokurorisë Tiranë, të kryera me metoda speciale të hetimit si blerje e simuluar, vëzhgime, etj, u zbulua mekanizmi ku shtetas të ndryshëm porosisnin dokumente të falsifikuara duke përfshirë pasaporta tek shtetasi Mariglen Hoxha dhe ky i dërgonte porositë në laboratorin në Kosovë, ku dhe kryheshin falsifikimet.

Këto dokumente më pas dërgoheshin në destinacion nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tyre që kamuflonin këtë veprimtari të kundraligjshme duke u marrë me transportin e udhëtarëve nga Kosova në Shqipëri dhe më gjerë.

Ata akuzohen për veprat penale të “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.