zoom

Aktualitet

Po trafikonin 5 klandestinë drejt BE-së, kapet në ndjekje 44-vjeçari, shoku arratiset (EMRI)

Një 44-vjeçar u ndoq dhe kap nga policia, pasi refuzoi të ndalonte, teksa po trafikonte 5 klandestinë drejt vendeve të BE-së, kurse shoku i tij 26-vjeçar mundi të arratisej dhe u shpall në kërkim.

Aksioni u krye nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Korçë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore.

Burime zyrtare thanë se u informuan për një rast të transporimit të emigrantëve nga Vendet e Treta, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Midnight 27”.

“Në kuadër të operacionit u arrestua shtetasi Emiljano Peshku, 44 vjeç, banues në fshatin Bitinckë, Devoll, dhe u shpall në kërkim shtetasi Xh. S., 26 vjeç, banues në Korçë.

Gjatë natës, në dalje të Pogradecit, i është bërë shenjë për ndalim, automjetit që drejtonte 44-vjeçari. Ai nuk i është bindur urdhrit, por ka vazhduar lëvizjen.

Menjëherë, shërbimet e Policisë i janë vënë në ndjekje, kanë bërë ndalimin e automjetit, në fshatin Qukës, Librazhd, dhe kanë arrestuar shtetasin E. P., ndërsa shtetasi Xh. S. (pasagjer në këtë automjet), duke përfituar nga errësira, është larguar. Vijon puna për kapjen e tij”, tha policia.

Rezultoi se në automjetin tip “BMW” që drejtonte i arrestuari, ishin 5 emigrantë nga Vendet e Treta, të cilët po transportoheshin kundrejt pagesave, nga 2 shtetasit, për të kaluar ilegalisht, kufirin, me destinacion vendet e BE-së.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme. /ZOOM.AL/