zoom

Aktualitet

Po shkëmbenin 1,5 kg kokainë në “Astir”, goditet grupi i të rinjve. Dy në pranga, i treti shpëton

Policia njoftoi sot realizimin e një tjetër aksioni për goditjen e narkotrafikut.

Në kuadër të operacionit mbarëkombëtar “Tempulli 2”, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Astir” në kryeqytet. Dy persona u ndaluan teksa bënin tregtinë e paligjshme dhe një tjetër u shpall në kërkim.

Në total u sekuestrua edhe rreth 1 kg e 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë. Operacioni u zhvillua nga Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Tiranë.

“Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të mbështetura nga inteligjenca operative, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Astir”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve E. G., 37 vjeç, dhe F. Ç., 33 vjeç, të dy banues në Tiranë. Gjithashtu, vijon puna për kapjen e shtetasit B. K., i dyshuar si bashkëpunëtor i dy të arrestuarve.

Shërbimet e Policisë, kanë lokalizuar në Bulevardin e Kasharit, shtetasit E. G., dhe F. Ç. Gjatë kontrollit fizik dhe të banesës së shtetasit E. G., shërbimet e Policisë, i gjetën rreth 1 kg e 500 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Lënda narkotike së bashku me dy aparate celulare dhe një automjet, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Kurse dosja i kaloi Prokurorisë Tiranë, për veprime të mëtejshme. /ZOOM.AL/