zoom

Aktualitet

Mori 2-vjeçaren nga marketi/ Policia kap pas një jave 57-vjeçaren

Gruaja, pamjet e së cilës u bënë virale pak ditë më parë teksa merrte në krahë një fëmijë 2 vjeç dhe tentoi të largohej nga një market në Tiranë, është identifikuar dhe shoqëruar në Komisariat. 

Fëmija 2-vjeç u kthye tek nëna vetëm pak momente pasi u mor në krah nga gruaja.

Sipas policisë, 57-vjeçarja dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Njoftimi i policisë:
Në vijim të njoftimit të dhënë më datë 15.09.2024, i cili bën fjalë për një ngjarje të ndodhur në Rrugën e Barrikadave, ku brenda një marketi një shtetase ka marrë në krahë një të mitur 2-vjeçe, ka dalë nga marketi dhe më pas është rikthyer sërish, ju njoftojmë se:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 kanë identifikuar dhe shoqëruar në ambientet e Policisë shtetasen R. B., 57 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për 57-vjeçaren, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 110/22 i Kodit Penal.