zoom

Bota

“Po na prishni imazhin”/ Urdhri i talebanëve: Jo më selfie dhe parqe lodrash

Ministri i ri i Mbrojtjes i Afganistanit u ka ndaluar selfiet, rrjetet sociale dhe parqet e lojërave luftëtarëve talebanë duke i akuzuar se po “i prishin imazhin” grupit ekstremist.

Që kur talebanët morën nën kontroll të gjithë Afganistanin, më 15 gusht, video të militanteve në parqe, kënde lodrash për fëmijë, duke vizituar kopshtin zoologjik të Kabulit dhe duke shijuar një sërë atraksionesh të tjera janë bërë virale.

“Qëndroni në detyrat që ju janë caktuar. Po dëmtoni imazhin tonë, i cili është krijuar me gjakun e dëshmorëve tanë”, tha Ministri i Mbrojtjes Maëlaëi Yaqoob javën e kaluar, sipas Ëall Street Journal.

Yaqoob, i cili është djali i themeluesit të talebanëve, argumentoi se selfiet e hedhura nëpër rrjetet sociale mund të kompromentojnë regjimin e ri në Afganistan dhe të vendosin në rrezik drejtuesit e talebanëve.

Ai kritikoi disa luftëtarë për adoptimin e modeleve perëndimore, të tilla si flokë deri në shpatulla, veshje me stil dhe mjekra të shkurtuara.

“Kjo është sjellja e komandantëve të luftës dhe gangsterëve të regjimit kukull” tha ai, duke iu referuar qeverisë së mëparshme të mbështetur nga SHBA, të cilën talebanët e përmbysën. “Nëse vazhdojmë të veprojmë kështu, Zoti na ruajt, ne do të humbim sistemin tonë islamik”, tha ai.

Pas marrjes nën kontroll të vendit, talebanët filluan të krijojnë një marrëdhënie të afërt me publikun në rrjetet sociale, duke u thënë afganëve dhe botës se jeta nën sundimin e tyre do të ishte ndryshe këtë herë, duke buzëqeshur, duke pozuar për selfie në rrugë dhe madje duke u ulur për një intervistë televizive me një gazetare femër.